Topalli siguron Fratinin për realizimin e reformave
Zëvendëspresidenti i BE-së, Franko Fratini, u takua ditën e djeshme edhe me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, ku u bisedua mbi ecurinë e Shqipërisë në mënyrë të shpejtë për të hyrë në BE. Kryetarja Topalli e njohu zotin Fratini me reformat e fundit të ndërmarra nga qeveria dhe Parlamenti. Ajo shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin mes forcave politike, jo vetëm për reformën në Drejtësi por edhe për reformat thelbësore në proceset integruese të vendit. “Mbetemi të fokusuar në prioritetet tona në luftën ndaj korrupsionit, evazionit fiskal dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, tha Topalli. Shqipëria ka arritur një stabilitet të dukshëm makroekonomik dhe është një vend i sigurt për investitorët, por edhe për turistët. Jemi të gjithë të angazhuar të vijojmë reformat jo vetëm në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe NATO, por mbi të gjitha për zhvillimin e vendit”, - tha Topalli.
8 Mars 2008