Varfëria, shqiptarët shpenzojnë më pak se fqinjët
Çmimet e larta dhe paga e ulët, shkaqet që kufizojnë shqiptarët. Harxhimet për ushqim, energji, veshje dhe shërbim mjekësor, minimale
Ervin Koçi
Shqiptarët e harxhojnë sasinë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqime ose e thënë ndryshe për bukën e gojës. Shpenzimet e qytetarëve shqiptarë janë mjaft të kufizuara kundrejt çmimeve që paraqiten në tregje si për produktet ushqimore, ashtu edhe për shërbimet e tjera. Në shportën e Institutit të Statistikave për matjen e inflacionit peshën më të madhe të shpenzimeve e zënë ato për produktet ushqimore. Paga minimale aktuale e një qytetari shqiptar është 16 mijë lekë. Për peshën e llogaritjes së indeksit të çmimeve në shportën e inflacionit, rezulton se shpenzimet më të larta janë të përqendruara në blerjen e produkteve ushqimore. Edhe pse në shportën e inflacionit ato zënë përqindjen më të madhe të shpenzimeve, del se një qytetar me pagë minimale prej 16 mijë lekësh blen 5.952 lekë në muaj produkte ushqimore apo rreth 49 euro.
Shpenzimet mujore
Shpenzimet për ushqim kapin 37.2 për qind në indeksin e çmimeve. Nga kjo llogaritet që me pagën minimale të tyre, shqiptarët kanë mundësi të bëjnë shpenzime të kufizuara për ushqime. Po ashtu, nisur nga këto llogaritje mjaft të kufizuara duke u nisur nga paga, minimale janë dhe shpenzimet për veshje dhe këpucë. Me pagën minimale dhe peshën që zënë shpenzimet në shportën e indeksit të çmimeve, për pije alkoolike dhe për duhan mund të shpenzohen vetëm 5.760 lekë në muaj. Nisur nga çmimet e larta, po ashtu janë mjaft të kufizuara shpenzimet për energji dhe lëndë të tjera djegëse. Në shportën e INSTAT-it, shpenzimet për këtë zënë 16.3 për qind, por duke u llogaritur në bazë të pagës minimale, me të mund të shpenzohet vetëm 1008 lekë për këtë kategori shërbimi, me të cilën nuk mund të paguhet as 300 kilovat energji me çmim të ulët. Nisur nga pesha e shpenzimeve që llogarit Instituti i Statistikave, shpenzimet për shërbimin mjekësor zënë 3.4 për qind, duke u nisur nga paga minimale, ku me to mund të shpenzohet vetëm 544 lekë në muaj, kurse për transport 976 lekë në muaj.
Vendet e rajonit
Ndryshe nga të ardhurat dhe shpenzimet e shqiptarëve paraqiten ato në vendet e tjera të rajonit. Në Kosovë, me pagën minimale qytetarët kryejnë shpenzime më të larta. Kjo vjen si rezultat i nivelit të lartë të pagës minimale që ka ky vend, e cila llogaritet në 200 euro në muaj. Sipas statistikave zyrtare të paraqitura nga Ministria e Financave të Kosovës, një qytetar kosovar me pagën e tij minimale mund të shpenzojë 100 euro për ushqim. Ndryshe nga shqiptarët, me këtë pagë ai ka mundësi të shpenzojë deri 100 euro për argëtim ose rreth 12 000 lekë në muaj. Një shqiptar ka mundësi të shpenzojë vetëm 496 lekë në muaj për argëtim. Kurse shpenzimet për celularë në Kosovë llogariten në vlerën e 50 eurove në muaj dhe ato për karburant në 60 euro. Në një tjetër shtet fqinj siç është Sllovenia, me pagën minimale prej 300 eurosh shpenzimet për ushqime llogariten në 69 euro në muaj. Kurse shpenzimet për karburant zënë 9.1 për qind të shportës, ku me pagën minimale mund të shpenzohen 29 euro për karburant. Peshën më të lartë të shpenzimeve e zënë ato për restorante dhe argëtim, në masën 68.2 për qind, ose 200 euro në muaj. Shpenzime të larta bëjnë edhe fqinjët tanë jugorë, grekët, të cilët me një pagë minimale prej 450 eurosh në muaj mund të shpenzojnë 103 euro për ushqim, për karburant 40 euro në muaj, etj. Kjo vjen edhe si rezultat i çmimeve të ulëta që janë në vendet e tjera si për produktet ushqimore, ashtu dhe për shërbimet e tjera dhe lëndët djegëse.
Tabela/////////////////////////
Shpenzimet që bëhen me pagën minimale
1. Shqipëria
5.952 lekë për ushqim
576 lekë pije alkoolike dhe duhan
816 lekë këpucë dhe veshje
1008 lekë për energji dhe lëndë djegëse
544 lekë për shërbim mjekësor
976 lekë për transport
4.960 lekë për argëtim
2.240 lekë për shërbim arsimor
2. Kosova
Energjia, 40 euro në muaj
Ushqimi, 100 euro në muaj
PTT-ja, 25 euro në muaj
Celularët, 50 euro në muaj
Karburanti, 60 euro në muaj
Argëtimi, 100-200 euro në muaj
3. Sllovenia
Ushqimi, 69 euro në muaj
Karburanti, 29 euro në muaj
Argëtimi, 200 euro në muaj
Transport, 137 euro në muaj
Arsimi, 31 euro në muaj
4. Greqia
Ushqimi, 103 euro në muaj
Karburanti, 40 euro në muaj
Transporti, 205 euro në muaj
Arsimi, 47 euro në muaj
Argëtimi, 279 euro në muaj
8 Mars 2008