Asgjësimi i municioneve të rënda terrorizon fshatrat e Skraparit
Një poligon për asgjësimin e municioneve të rënda po terrorizon banorët e disa fshatrave të rrethit të Skraparit. Dhjetëra banesa kanë marrë krisjet e para dhe pronarët e tyre nuk po dinë ku të ankohen. Askush nuk di të thotë me saktësi llojet e predhave dhe datën e fillimit të këtij fenomeni, por fshatarët e zonës verilindore të Skraparit tregojnë se kanë rreth 20 ditë që përballen me këtë terror të padëgjuar më parë, që po rrezikon seriozisht banesat dhe jetën e tyre. Thuajse çdo ditë në orë të ndryshme dëgjohen shpërthime të fuqishme, të cilat tronditin banesat dhe mbushin horizontin me re të zeza tymi. Ata thonë se çdo ditë bëhen mbi dhjetë shpërthime të tilla të fuqishme, që jo vetëm shurdhojnë veshët e tyre, por edhe rrënojnë banesat, duke i çuar drejt shembjes së pashmangshme. Shpërthimet bëhen në afërsi të repartit ushtarak të Bigazit, vetëm 8 km larg Çorovodës. Aty asgjësohen çdo ditë municione të rënda që grumbullohen nga depot e armatimit në të gjithë Qarkun e Beratit. Ndërkohë, burimet nga vendngjarja tregojnë se tronditjet e fuqishme dhe krisjet e banesave janë ndier në mbi 13 fshatra të komunave Qendër e Çepan të këtij rrethi, por që më afër rrezikut për jetën e njerëzve dhe të kafshëve janë fshatrat Dherez e Kalanjozë të Komunës Qendër dhe Blezenckë e Zogaj të Komunës Çepan, të cilët ndodhen në një rreze prej dy kilometrash prej poligonit. Banorë të këtyre fshatrave thonë se përveç krisjeve të rënda në banesa, ata ndihen të terrorizuar edhe nga zhurma shurdhuese e tronditjet e zgjatura. Bajram Hysko, kryeplaku i fshatit Dhorez, vetëm 1 km larg repartit të Bigazit, tha dje se sapo dëgjojnë shpërthimin e parë, ditën apo natën, të gjitha banesat e fshatit boshatisen në mënyrë të rrufeshme nga frika e shembjes së shtëpive. Më tej ai tregon se në këtë repart ushtarak, me disa depo gjigante mbitokësore, prej dhjetëra vitesh ruhen municione të kalibrave të ndryshëm dhe se prej vitesh frika nga ndonjë shpërthim i mundshëm ka ekzistuar. Por që shpërthime të tilla kaq të fuqishme, shurdhuese e të frikshme, kurrë nuk i kishin imagjinuar. Kryeplaku Hysko thotë se ka shkuar të takohet me ushtarakët e repartit dhe prej tyre ka mësuar se po asgjësohen predha artilerie të kalibrave të mëdha dhe ky proces pritet të vazhdojë edhe për disa muaj. Por, kush do të përgjigjet për banesat e dëmtuar?! Hysko tregon se po vihen në rrezik jo vetëm banesat, por edhe jeta e mijëra njerëzve, jo vetëm nga tronditjet, por edhe nga ndotja. Sipas tij, tymrat dhe bloza e dendur që mbushin ajrin në momentin e shpërthimeve bien në tokë, duke ndotur ujërat e përrenjve, të krojeve dhe puseve publike me përbërës të ndryshëm e të panjohur toksikë. Dhe, sipas tij, pasojat e para u shfaqën këto ditë me ngordhjen e katër derrave të rojave private që ruajnë depot ushtarake. Kryeplaku i fshatit Dhorez thotë se ka shkuar të ankohet te kryetari i Komunës Qendër, Astrit Mustafaraj dhe te nënprefekti i Skraparit, Fadil Kapllani, dhe prej tyre nuk ka marrë asnjë zgjidhje. Ai dhe qindra bashkëfshatarë të tij i bëjnë apel shtetit të ndërhyjë për largimin e kësaj qendre demontimi nga zonat e banuara.