E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni në gjykata, "luftë" me kuti ankesash

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës ka zbritur për kontroll Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa kryetari i kësaj gjykate pohon se zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe mungesa e etikës janë dy prej problemeve kryesore që evidentohen në gjyqësorin shqiptar. Deklarimi u bë nga kryetari Ervin Metalla gjatë publikimit të nismës më të fundit të TIA-s (Transparence International Albania) në bashkëpunim me USAID për më shumë transparencë në gjykata. Nisma është në kuadrin e strategjisë antikorrupsion dhe transparencës në gjykata nën moton "Besim dhe monitorim". Endrit Shabani tha se TIA do të vendosë një kuti ankesash në çdo qytet ku qytetarët të mund të shprehin lirisht problemet e tyre konkrete, të cilat më pas do të shqyrtohen. TIA, por edhe drejtuesi i Gjykatës së Durrësit Metalla, u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ngurrojnë për të denoncuar korrupsionin dhe probleme të tjera që kanë me gjyqësorin. Në një numër telefoni të publikuar mbi kutinë e ankesave, qytetarët mund të kërkojnë dhe marrin asistencë ligjore falas për rastet korruptive të hasura nga eksperiencat në gjykatat shqiptare. Kutia e ankesave është vendosur në hollin e Gjykatës së Durrësit dhe u prezantua nga Endrit Shabani dhe kryetari i kësaj gjykate Ervin Metalla. E nisur nga Durrësi, nisma do të shtrihet edhe në gjykatat e tjera të vendit.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›