Ndarja e gjyqit, padi në Strasburg
Grupi ligjor që përfaqëson të afërmit e viktimave të Gërdecit deklaroi dje se do të çojë çështjen e ndarjes së gjyqit ndaj Mediut dhe 28 të pandehurve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë refuzoi një muaj më parë të marrë në shqyrtim një padi të avokatëve të trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit që kundërshtonin këtë ndarje të procesit. Çështja nuk u mor në shqyrtim dhe si e tillë ajo u rrëzua. Tashmë, sipas avokates Blerta Kraja, e vetmja mundësi është që çështja të shkojë në Gjykatën e Strasburgut, ku do të marrë një zgjidhje ligjore. Pretendohet se vendimi i ndërmjetëm i gjykatës, që ndau çështjen është i paligjshëm dhe si i tillë ai duhet të ndreqet. Nëse Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë familjarëve të viktimave të Gërdecit, atëherë këta të fundit do të kërkonin rigjykimin nga e para e të gjithë çështjes "Gërdeci" në Gjykatën e Lartë.