E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësimi i municioneve,bllokohet rruga nacionale

 

PUKE/ RIDVAN DIBRA

Banorët e Tërbunit në Pukë bllokuan dje rrugën që lidh këtë fshat me aksin nacional të rrethit, duke mos lejuar asnjë mjet të kalonte. Ata protestuan kundër demontimit të municioneve luftarake në këtë zonë. Sipas tyre, asgjësimi i municioneve iu shkatërron turizmin. Protesta që nisi dje në orët e paradites zgjati për rreth 3 orë, ndërsa pjesëmarrësit i bënë apel qeverisë të mos asgjësojë municionet e vjetra me shpërthim. Sipas tyre, asgjësimi në shpërthim shkakton frikë dhe panik te banorët dhe jo më tek turistët, të cilët sapo kanë nisur të eksplorojnë këtë vit zonat malore të Pukës. Nën thirrjet se po dëmtohet turizmi malor, ata kërcënuan se protesta e tyre do të përsëritet deri në ndalimin e këtij krimi ndaj turizmit, siç e konsideruan ata, shpërthimin e municioneve në pyjet e Pukës. "Ne nuk kemi asnjë mundësi jetese në këtë zonë. Kemi nisur të investojmë në turizmin malor, por mundësia edhe në këtë drejtim po zhduket nga shpërthimet e demontimeve. Turistët vijnë për të shijuar qetësinë e maleve, pastërtinë e ajrit dhe të çlodhen nga natyra. Por ata këtu përballen me zhurmat e demontimeve dhe largohen nga frika". Kështu u shpreh njëri nga banorët e zonës, i cili ishte edhe ndër organizatorët e kësaj proteste. Asgjësimi i municioneve nga ushtria ka hasur prej kohësh në kundërshtimin e banorëve të Tërbunit. Sipas tyre, u kanë bërë kërkesa për takime përfaqësuesve të ndryshëm shtetërorë, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kërkesa e fundit dhe paralajmërimi për protestë është bërë një javë më parë. Nënprefekti i Pukës, Dedë Përshpali, u shpreh dje se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me këtë protestë. "Në zyrën time asnjëherë nuk ka ardhur një ankesë nga këta banorë në lidhje me problemin e demontimit të armëve. Gjithashtu asnjëri prej tyre nuk më ka kërkuar takim për këtë problem. Nuk kam asnjë informacion, as për protestën, që po bëhet sot (dje)", u shpreh ai. Sipas nënprefektit të Pukës, poligoni është bërë në bazë të të gjitha rregullave dhe të ligjit që mban datën 13.11.2008. Si ky poligon në të gjithë vendin ekzistojnë 8 të tillë që kryejnë demontime të municioneve ushtarake. Poligoni ndodhet në zonën e njohur si Livadhet e Hamzit dhe është i njëjti masiv malor ku ndodhet dhe fshati Tërbun. Sipas Përshpalit, vendi ku do të bëhet asgjësimi ndodhet në vijë ajrore rreth 8 km larg nga qyteti i Pukës dhe 12 km larg   rrugës nacionale. "Problemi i vetëm qëndron në faktin se banorët kanë mungesë informacioni në lidhje me atë se si kryhen demontimet në atë poligon", u shpreh nënprefekti Përshpali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›