Ekstradohet vrasësi i tre ushtarakëve
Etleva Delia
I shpallur në kërkim nga Interpoli për një vrasje të trefishtë, i arratisur nga Shqipëria prej 19 vitesh dhe me një dënim me burgim të përjetshëm, Adhurim Sallmoni, dikur nënoficer policie, është ekstraduar dje nga Gjermania. Sallmoni, tashmë 43 vjeç, ka mbërritur dje në pranga në Rinas, i shoqëruar nga oficerët e Interpolit, për një krim të kryer në vitin 1990. Një krim që ish-nënoficerit të Repartit të Kufirit të Degës së Brendshme Durrës, i kushtoi minimalisht burgim të përjetshëm. Minimalisht, pasi vendimi i gjykatës në ngarkim të tij, u dha katër vite pas ngjarjes. Nëse do të dënohej në kohën kur vrau tre kolegët e tij dhe u arratis bashkë me 6 persona të tjerë në drejtim të Italisë, me motoskafin e kufirit, përveçse do të shpallej armik i popullit, do të dënohej me vdekje. Tashmë Sallmoni i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për t'iu caktuar vendi ku do të kalojë pas hekurave gjithë pjesën tjetër të jetës së tij.
Akuza
Ai akuzohet se në bashkëpunim me Edmond Gjokën, ka vrarë 3 kolegët e tij, nënoficer, Ilir Gjyrdetin dhe ushtarët Arben Legisi e Ilir Goxhomanin. Pas vrasjes së tyre është arratisur bashkë me gjashtë persona të tjerë, drejt brigjeve të Italisë, me motoskafin e Kufirit Durrës, për të qëndruar në arrati për 19 vite me radhë, derisa u arresua në Vviesbaden të Gjermanisë, disa muaj më parë. Burime nga Policia e Shtetit thanë se ngjarja, për të cilën akuzohet 43-vjeçari Adhurim Sallmoni, ka ndodhur pranë hotel "Iliria" në Durrës, më 25 tetor të vitit 1990. Nënoficer Ilir Gjyrdeti, atë ditë ishte me detyrë komandant në motoskafin e Repartit te Kufirit te Degës se Brendshme Durrës. Ekuipazhi i motoskafit perbehej nga Ilir Gjyrdeti, nënoficer Adhurim Sallmoni dhe 2 ushtarët, Arben Legisi e Ilir Goxhomani. Me datë 25 tetor të vitit 1990, sipas grafikut të shërbimit, në orët e mbrëmjes skafi del për patrullim në bregdetin e zonën e plazhit të Durrësit deri në Golem. Ishte momenti i përshtatshëm që Sallmoni kishte projektuar në bashkëpunim edhe me 6 persona të tjerë për t'u arratisur nga Shqipëria.
Krimi
Në patrullim e sipër, nënoficer Adhurim Sallmoni vret me armë e shërbimit kolegun e tij Ilir Gjyrdetin dhe njërin nga ushtarët që ndodhej në bordin e motoskafit, ndërkohë që ushtari tjetër ndodhej në gjumë. Pasi hedh dy të vrarët në det, drejton skafin drejt Hotel "Iliria" ku e prisnin 6 personat, me të cilët kishte kurdisur planin. Pasi i merr këta persona në bord, gjatë rrugës ushtari tjetër zgjohet dhe Sallmoni, tenton të bëjë një ujdi me të, në këmbim të jetës, i propozon të shkojë me ta në Itali. Pasi ushtari nuk e pranon propozimin e bërë, Sallmoni, në bashkëpunim me Edmond Gjokën, e godasin me tytat e armëve dhe e hedhin në det tek feneri i fundit. Trupi i këtij ushtari është gjetur të nesërmen e ngjarjes, ndërsa dy trupat e tjerë u gjetën pas dy ditësh. Gjykata e Rrethit Durrës me datë 3 gusht të vitit 1994, vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Adhurim Sallmonin. Ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor me anë të një dekreti akordoi "Urdhër për vepra trimërie". Nënoficer Ilir Gjyrdeti, është shpallur "Deshmor i Atdheut" më 4 korrik të vitit 2003. Ndërkohë në arkivat e Policisë së Shtetit, Adhurim Sallmone, figuron i dënuar me burgim të përjetshëm, në bazë Kodit të vjetër Penal të Republikës së Shqipërisë, të parashikuar nga nenet 84, 147/2 dhe 146 të atij kodi. Pas 19 vitesh në kërkim ndërkombëtar dhe ndër të parët në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, disa muaj më parë Sallmoni u lokalizua në një qytet të Gjermanisë, ku edhe u arrestua e qëndroi deri sa u miratua ekstradimi i tij drejt vendit tonë.
Vrasja e trefishtë para 19 vitesh
Pas një plani të studiuar më së miri dhe të skicuar për ditë me radhë në bashkëpunim edhe me 6 persona të tjerë, njëri prej të cilëve Edmon Gjoka, Adhurim Sallmoni, vendosi të arratisej nga Shqipëria. Si mjetin më të favorshëm për t'u larguar drejt tokës italiane Sallmoni zgjodhi motoskafin e Kufirit Durrës, por për ta përdorur për misionin e tij, iu dësh të vriste tre kolegët, Ilir Gjyrdetin, Arben Legisi dhe Ilir Goxhomanin.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin numër 26, datë 3 gusht të vitit 1994, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Adhurim Sallmonin, për veprat penale të "vrasjes për motive të dobëta, tentativë vrasje, shpërdorimit të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak", parashikuar nga nenet 84, 147/2, dhe 146 të Kodit Penal të vjetër të Republikës së Shqipërisë.