E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen 1600 rrënjë kanabis në Shkodër dhe Tepelenë

Një aksion i gjerë antidroge, është zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit në Shkodër dhe në Tepelenë. Mësohet se janë asgjësuar rreth 1600 fidanë kanabis sativa, ndërkohë që policia nuk ka mundur të prangosë asnjë prej kultivuesve. Sezoni i verës është dhe koha kur korret kanabisi i kultivuar dhe në sinkron me këtë periudhë, policia ka nisur fushatën e kontrollit dhe asgjësimit të bimëve narkotike.

Kështu, mëngjesin e djeshëm, policia e Shkodrës ka bërë të mundur asgjësimin e 1500 rrënjëve kanabis sativa të kultivuar në zonat malore të këtij qarku. Burime policore pohuan për gazetën "Shqip" se shkak i këtij aksioni është bërë një informacion i marrë në rrugë operative se në Malësinë e Mbishkodrës, konkretisht në Komunën Shkrel, ndodheshin disa parcela të mbjella me hashash. Pas marrjes së informacionit, agjentët e antidrogës, të mbështetur edhe nga shërbimet e tjera policore, kanë shkuar në zonën e dyshuar, pikërisht në vendin e quajtur "Logu i Shtogut", Komuna Shkrel, e Malësisë së Madhe, ku janë gjetur 1500 rrënjë kanabis sativa. Sipas policisë, bimët ishin të mbjella në katër parcela, me distancë të vogël me njëra-tjetrën, në një zonë të shpyllëzuar, pa pronar të ligjshëm. Në parcelën e parë, policia ka gjetur dhe asgjësuar 190 rrënjë kanabis sativa, në të dytën 140 rrënjë, ndërsa në parcelën e tretë dhe të katërt respektivisht: 700 dhe 470 rrënjë. Grupi i ekspertëve të lëndëve narkotike kanë pohuar se bimët kanë qenë në fazën e korrjes dhe një kampion i tyre është dërguar për analizim në laboratorin e kriminalistikës. Ndërkohë, burime nga policia e Shkodrës pohojnë se aksioni i djeshëm, ka qenë vetëm fillimi i një fushate që do ndërmerret për asgjësimin e lëndëve narkotike. Gjatë kësaj periudhe, do bëhet një krehje e imët në terren e të gjitha zonave të dyshuara dhe që janë përsëritëse në kultivimin e bimës kanabis sative. Mësohet se policia do të përqendrohet kryesisht në zonën e Dukagjinit, Shllakut, Gurit të Zi në Malësi të Madhe, Shkrel dhe Bogë. Këto zona, sipas policisë, ndër vite janë zonat më problematike, jo vetëm për Qarkun e Shkodrës, por dhe për të gjithë Shqipërinë për sa i përket kultivimit të kanabis sativës.

Ndërkohë, në Tepelenë, në fshatin Bënçë është gjetur dhe asgjësuar një parcelë me 98 rrënjë të mbjella me kanabis sativa.

Operacioni ka nisur rreth 16.30 min të së hënës me një kontroll të befasishëm në disa parcela të fshehura në dy anët e shtratit të lumit të Bënçës. Fillimisht, policia ka evidentuar një parcelë të hapur rishtas, të kultivuar me hashash, ku grupi hetimor ka konstatuar se ishin mbjellë 98 fidanë të dyshuar si kanabis sativa. Një pjesë e këtyre bimëve janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe pjesa tjetër është asgjësuar në vend. Ndërkohë, mësohet se janë shoqëruar 3 shtetas nga qyteti i Tepelenës, të dyshuar si autorë të kultivimit të paligjshëm, por më pas janë lënë të lirë, pasi ka rezultuar se nuk kanë qenë të përfshirë me veprimtarinë e paligjshme. Burimet zyrtare pohojnë se po punohet për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të pronarëve të parcelës me drogë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›