E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantësh në portin më të madh të vendit

Mbi 16 mijë veta kanë hyrë në vend nga Porti detar i Durrësit gjatë javës së parë të muajit korrik. Fluksi tenton të rritet gjatë dy fundjavave të ardhshme, për të arritur pikun e vet me ardhjen e emigrantëve kosovarë dhe shqiptarë për pushime në atdhe. Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Portin e Durrësit bëri të ditur se nga data 1 korrik dhe deri në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm kanë hyrë në vend nga pika e kalimit kufitar në Portin e Durrësit plot 14806 pasagjerë, kryesisht emigrantë që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri, ndërsa kanë lënë vendin 3292 shtetas të tjerë vendas dhe të huaj. Për të njëjtën periudhë në vend janë futur 3370 automjete dhe kanë dalë 1282 mjete. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme me tragetet e ndryshme të linjave detare që lidhin portet italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes me atë të Durrësit janë futur në vend edhe afro 2 mijë pasagjerë të tjerë. Pothuajse çdo ditë në këto linja lëvizin 14 tragete gjatë kësaj periudhe të ngarkuar në lëvizjen e njerëzve mes vendeve të Europës Perëndimore dhe vendeve të Ballkanit, kryesisht Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë që zgjedhin këtë port. Mësohet se për të përballuar fluksin, të gjithë doganierët janë në terren për të mbyllur në kohë sa më të shpejtë procedurat për automjetet dhe po kështu sportelet e policisë kufitare për të kryer shërbimet e hyrjes në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›