E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgohet në burg nëna që braktisi fëmijët

Një 38-vjeçare e shpallur në kërkim nga policia e Belshit është arrestuar dje paradite për të vuajtur dënimin e dhënë për braktisjen e fëmijëve. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 15:30 të së hënës, nga ana e policisë së Belshit dhe me ndihmën e Komisariatit të Policisë së Elbasanit u bë ndalimi i 38-vjeçares Majlinda Jolla, lindur në Belsh e banuese në fshatin Dëshiran, rreth 50 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Jolla rezulton të jetë dënuar fillimisht nga Gjykata e Elbasanit me gjobë për braktisje të fëmijëve dhe më pas po kjo gjykatë ka bërë konvertimin e masës së dënimit nga gjobë, në 20 ditë heqje lirie për braktisje të fëmijëve. Gruaja ishte larguar nga shtëpia më 3 qershor të këtij viti, duke i thënë bashkëshortit dhe familjarëve të saj se do të shkonte te të afërmit në Lushnjë. Por pas dy ditësh, kur bashkëshorti i saj ka shkuar ta vizitojë, nuk e ka gjetur në shtëpi. Kjo ka qenë dhe arsyeja që atë ditë, Servet Jolla ka denoncuar largimin pa adresë të gruas së tij, nënë e tre fëmijëve, më i vogli i të cilëve është 4 vjeç dhe më i madhi 16 vjeç. Policisë i janë dashur më shumë se 20 ditë që ta gjejë dhe ndalojë 38-vjeçaren te të afërmit e saj në fshatin Kajan. Ndërkohë, gjykata e kishte dënuar në mungesë me 20 mijë lekë gjobë më datë 20 qershor dhe më pas dënimi i është konvertuar më 5 korrik me 20 ditë heqje lirie. Sipas burimeve jozyrtare, bëhet e ditur se 38-vjeçarja ka pohuar në polici se shkak i largimit nga shtëpia ishte gjendja e rënduar ekonomike, pasi bashkëshorti i saj shpenzonte shumë para për alkool. Gjithsesi, fëmijët i kanë kaluar në kujdestari të plotë babait.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›