E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen 320 rrënjë Kaniabis, asnjë i arrestuar



VLORË - Policia e Vlorës asgjësoi sot 320 bimë narkotike "Kanabis sativa", të cilat ishin kultivuar në afërsi të fshatit Penkovë, 20 km larg qytetit. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "bimët narkotike, me lartësi 1.2 metra, u zbuluan gjatë një operacioni të efektivave të Seksionit të Luftës Kundër Drogës, në Drejtorinë e Policisë të Qarkut". Sipas policisë, ato ishin kultivuar në një parcelë të hapur rishtas, pranë përroit të fshatit, në një vend të fshehur. Mësohet se uniformat blu nisën veprimet procedurale për identifikimin e personave që kanë lidhje me Kanabisin e asgjësuar, që përbën edhe rastin e parë për këtë vit. Prej disa javësh efektivat e policisë së Vlorës kanë nisur një operacion që synon identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në zonat rurale të këtij rrethi. Gjatë këtij operacioni, ku janë përfshirë rreth 100 forca policore, janë evidentuar zonat ku dyshohet se ka tentativa të kultivimit të Kanabisit.

Dy të arrestuar, trafikuan klandestinë drejt Greqisë

KORÇË - Dy shtetas, një nga qyteti i Korçës dhe tjetri nga Lezha, u ndaluan të premten nga policia për favorizim të trafikut të qenieve njerëzore në kufi me Greqinë. Burime zyrtare nga policia e Korçës, bënë të ditur se "shtetasit Ndue Uka, 57 vjeç, me banim në fshatin Shën Koll të Lezhës, si dhe 24 vjeçari Edison Laloti nga qyteti i Korçës, u ndaluan nga seksioni i luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, për favorizim të trafikut në kufi me Greqinë". Sipas policisë, për 57-vjeçarin Ndue Uka është ekzekutuar një urdhër i Prokurorisë që e ka shpallur në kërkim për veprën penale të "dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit". Ndërsa shtetasi Edison Laloti, është ndaluar pasi pak ditë më parë ka ndihmuar për të kaluar kufirin me Greqinë dy persona, të cilët janë ndaluar nga pala greke dhe janë riatdhesuar.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›