Vdes 18-vjeçari në aksident, plagoset kushëriri
DURRËS - Një 18 vjeçar humbi jetën, ndërsa kushëriri i tij u plagos rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik në fshatin Halil, në rrugën Fushë Krujë-Krujë, ndërkohë që drejtuesi i mjetit me të cilin po udhëtonin është larguar nga vendi i ngjarjes.
Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, bënë të ditur se "18-vjeçari Elvis Kurti humbi jetën dje në mesditë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa kushëriri i tij, L. Kurti, 19 vjeç, u plagos rëndë dhe është përcjellë në spitalin më të afërt gjatë një aksidenti të ndodhur rreth orës 13.25 pranë fshatit Halil, në rrugën Fushë Krujë-Krujë". Sipas hetimeve paraprake të policisë, mësohet se 18 vjeçari Kurti dhe kushëriri i tij, L.Kurti, po udhëtonin me një automjet tip benz, me targë AV 302408, të drejtuar nga shtetasi Erik Selmani, rreth 20 vjeç, ndërkohë që shkak i aksidentit ka qenë dalja e automjetit nga rruga. Policia bëri të ditur se po punon për ndalimin e drejtuesit të mjetit, 20 vjeçarit Selmani, i cili është larguar nga vendngjarja.
Kapet në Durrës, ishte dënuar në Itali për plagosje
DURRËS - Shërbimet e Komisariatit të Policisë në Portin e Durrësit arrestuan të premten një 36 vjeçar, i cili ishte dënuar në vitin 1998 nga drejtësia italiane me 8 vjet heqje lirie për vrasje dhe plagosje. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se shtetasi Indrit Resuli, 36 vjeç, lindur e banues në lagjen Nr. 2 të qytetit bregdetar, është ndaluar gjatë kontrollit të dokumenteve në pikën e hyrjes së kufirit portual. 36-vjeçari Resuli, i cili sapo kishte zbritur nga trageti i linjës Bari-Durrës, ishte person i shpallur në kërkim nga policia e Durrësit më 31.12.2007. Gjykata e Rrethit Durrës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Milanos Itali të datës 05.02.1998, e cila ka caktuar dënimin me 8 vjet burg për veprat penale “të vrasjes me dashje mbetur në tentativë” dhe “plagosjes së rëndë me dashje”.
Sherri në lokal, prangosen 4 të rinj
DURRËS – Katër të rinj pasi kanë pirë në një nga lokalet e qytetit bregdetar, janë zënë, duke prishur qetësinë mes dhjetëra qytetarëve, por më pas janë ndaluar nga policia. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se janë ndaluar shtetasit: Ardian Tina, lindur e banues në lagjen Nr. 18 në Durrës, Pjerin Opari, lindur në Korçë dhe banues në lagjen Nr. 13 në Durrës, Besim Çobani, lindur dhe banues në lagjen Nr. 7 në Durrës dhe Besnik Kulla, lindur dhe banues në lagjen Nr. 18 të qytetit bregdetar. Sipas tij, procedimi penal në ngarkim të tyre filloi për arsye se më datë 11.06.2008, rreth orës 24.00, në lagjen Nr. 1, në afërsi të lokal “Riviera”, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke shkaktuar prishje të qetësisë publike. Organi i akuzës po vazhdon punën për hetimin e plotë të ngjarjes.
Masa, mbetet në qeli vrasësi i 23-vjeçarit
SHKODËR – Gjykata lë në qeli Pëllumb Guri, i dyshuar për vrasjen e bashkëfshatarit të tij 23 vjeçar, Nard Lisi. Dje është zhvilluar seanca për dhënin e masës së sigurisë në gjykatën e rrethit Shkodër. Guri akzohet për veprën penale të vrasjes nga ana e prokurores së çështjes, Françeska Lekani, ndaj është kërkuar vendimi “arrest me burg”, pasi katër ditë më parë, pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta, ai ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin Nard Lisi, i cili më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Personat në fjalë janë banorë të fshatit Bardhaj, pak kilometra larg qytetit të Shkodrës. Trupi gjykues, me kryetar gjyqtaren Marina Rraboshta, ka marrë për bazë kërkesën e prokurores Lekani, duke e lënë në qeli 22-vjeçarin Nard Lisi, në drejtim të të cilit fillon procesi gjyqësor për akuzën e vrasjes
14 Qershor 2008