E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema e qeverisë, zonë e lirë ekonomike, apo park industrial?



Ervin Koçi

Shqipëria është vënë në qendër të ofertave të favorshme për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, prej nga ku duket se do të nisë epoka e investimeve të mëdha. Këtë e tregojnë ofertat e shumta që po vijnë nga investitorët e huaj duke nisur që nga investimet modeste në industrinë e lehtë apo ushqimore, infrastruktura, parqet industriale, deri tek centralët atomikë të prodhimit të energjisë. Por nga ana tjetër, mosnisja e këtyre projekteve që në më të shumtën mbesin vetëm në kuadrin e ofertave dhe premtimeve, tregon se qeveria shqiptare është në një mëdyshje të madhe. Një gjë të tillë e shprehur dje edhe Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në një intervistë dhënë për mediat vizive. Sipas tij, vendimi i qeverisë për ndërtimin e të paktën 6 parqeve industriale në vend, si dhe shumë projekte të tjera, janë një shenjë e mirë që tregon se investimet do të jenë të mëdha. Por ai ka lënë të papërcaktuar nëse qeveria do të stimulojë më tepër krijimin e një zone të lirë ekonomike ashtu siç ishte premtuar kohë më parë, apo do të ndërtojë parqet industriale. Por këto të fundit janë më në rrugë të mirë, ashtu siç u pa edhe në konferencën e mbajtur mbi ndërtimin e parkut industrial në Durrës ku u theksua se në kufi të tij një tjetër park do të ngrihet: parku energjetik. Sipërfaqja e ndërtimit është afërsisht 870 ha dhe do të përmbaje rafineri, fabrikë për prodhimin e biokarburanteve, depozita të gazit dhe naftës, termocentral etj.

Qëndrimi

Sipas kryeministrit, Sali Berisha, parku do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit. Sipas tij, cilido që vështron vendndodhjen e parkut industrial të Durrësit gjen një nga sitet më të përshtatshme për investime në mbarë rajonin tonë. Ai rrethohet me infrastrukturë moderne, në njërën anë me portin më të madh të vendit, në anën tjetër me aeroportin, ngjitur me të ndodhet nëncentrali elektrik, ndërkohë që vetëm pak minuta distancë hekurudha do të shkojë deri në afërsi të korridorit Durrës–Prishtinë e më tutje. “Pra, ka një sërë rrethanash që e bën këtë vend vërtet jashtëzakonisht të favorshëm për park industrial. Ndërkohë parku është i mbështetur nga një zonë e madhe industriale, që shtrihet nga Tirana në Durrës. Në qoftë se vendndodhja do të vlerësohej me pikë, më lejoni të shpreh bindjen time se ky park nuk mund të vlerësohej me më pak se 100 pikë”, nënvizoi Berisha. Për Berishën “Shqipëria ka stabilitet makroekonomik të admirueshëm, rritje ekonomike mbi 6 për qind, inflacion plotësisht nën kontroll (muajin e kaluar ishte 4.2 për qind), me tendencë rënie, në një kohë kur era është inflacioniste, po ashtu me një monedhë që është ndër më të qëndrueshmet në rajon, me një kurs këmbimi më të favorshmin që ka pasur ndonjëherë në dy dekadat e fundit, me një sistem bankar qartësisht të zhvilluar, që po rrit me shpejtësi ritmin e kreditimit të ekonomisë”.

Tenderat

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë në datën 18 gusht 2008 garën konkurruese për zhvilluesin e parkut industrial të Shëngjin, Lezhë. Kjo zonë ekonomike do të jetë parku i dytë ekonomiko-industrial që do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 3.2 hektarësh. Sipas METE-s, çdo ofertues është i detyruar që të paraqesë një ofertë të vetme, ku duhet të angazhohet për pranimin e kushteve të përcaktuara në ftesën për procedurat konkurruese si dhe detyrimet ndaj fitimit të procedurës konkurruese. Shpallja nga METE e garës mbështetet në vendimin nr. 11 të qeverisë, datë 04.01.2008 "Për shpalljen e zonës ekonomike në Shëngjin, Lezhë", VKM-në nr. 772, datë 04.06.2008 "Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike në Shëngjin, Lezhë, dhe miratimin e bonusit me procedurë përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “ATX International” Shpk etj.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›