E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re e organizimit, PD-ja do ketë 12 kryetarë qarqesh

Drejtimi i demokratëve do t’i përshtatet sistemit të ri zgjedhor. Skema do të sjellë shkarkime të shumta të krerëve të PD-së në rrethe

Eljona Ballhysa

Partia Demokratike po mendon një mënyrë të re organizimi në rrethe për t’iu përshtatur dhe sistemit të ri zgjedhor. Burime informacioni nga kjo parti bëjnë të ditur se në strukturat e larta është diskutuar skema e re e organizimit, e cila parashikon zgjedhjen e vetëm 12 kryetarë degësh, të cilët do të jenë në nivel qarku. Kjo skemë parashikon përshtatjen e partisë edhe me sistemin e ri zgjedhor, proporcional rajonal.
Ndryshimet
Skema e re e organizimit, e cila pritet të aplikohet me zgjedhjet e reja në Partinë Demokratike, që fillojnë në shtator dhe pritet të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm, mendohet se do të sjellë një ndryshim thelbësor në organizimin e PD-së në bazë. Vendosja e një kryetari dege të PD-së në nivel qarku pritet të sjellë më pak kryetarë nëndegësh, proces ky i cili do të sjellë reduktim të burokracisë, por gjithashtu dhe rritje të përgjegjësive. Këto kryetarë do të kenë përgjegjësi për organizimin e të gjithë strukturës së partisë në nivel qarku në rast të proceseve zgjedhore si parlamentare, ashtu dhe lokale. Nga ana tjetër, skema e re synon dhe largimin nga postet drejtuese të shumë kryetarëve të degëve të PD-së në rrethe. Burimet bëjnë të ditur se zgjedhjet në parti do të sjellin një fytyrë të re të PD-së përpara elektoratit, veçanërisht në qytetet kryesore. Sipas burimeve pritet që kryetarët e degëve të PD-së në qytetet kryesore nuk do të rikandidojnë sërish për të mbajtur postet drejtuese. Kështu është konfirmuar tashmë largimi i kryetarit të degës më të madhe të PD-së, siç është ajo e Tiranës. Sokol Olldashi nuk do të jetë me kryetar i PD-së në Tiranë. Po kështu, sipas burimeve, edhe Armand Teliti nuk do të rikandidohet sërish në Durrës. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se megjithëse procesi do ende kohë që të kristalizohet dhe aktualisht është në fazën e diskutimit në nivelet e larta drejtuese të partisë, që tani kryeministri Berisha mban mbi tryezë emrat kandidatë për kryetarë të degëve të PD-së në 12 qarqet e vendit. Pritet që kjo skemë të bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Zgjedhjet
Procesi zgjedhor në Partinë Demokratike pritet të fillojë në muajin shtator të këtij viti. Burimet bëjnë të ditur se fillimisht zgjedhjet do të përqendrohen në degët e PD-së, në ato qytete ku kjo parti ka rezultuar e humbur në zgjedhjet e fundit. Aktualisht PD-ja është përfshirë në takime të anëtarëve të kryesisë, deputetëve, por dhe nënkryetarëve të kësaj partie me bazën, për të ripërtërirë strukturat me anëtarë të rinj. Ndërkohë që Këshilli Kombëtar i PD-së ka përcaktuar grupet e punës për secilin qark të vendit, të cilët do të merren me organizimin e këtyre zgjedhjeve që për herë të parë do të zhvillohen sipas parimit “një anëtar, një votë”. Sipas statutit të PD-së, do të zgjidhen me parimin një anëtar një votë kryetarët e nëndegëve, ndërkohë që sipas burimeve, do të diskutohet mënyra e zgjedhjes se kryetarëve të PD-së në nivel qarku. Pritet të ketë dhe ndryshime në statusin e kësaj partie, ku do të përcaktohet skema e re e organizimit dhe mënyra e aplikimit të saj.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›