E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria piemonteze zbret në Tiranë për bashkëpunim ekonomik



Hapja dhe stabiliteti që po paraqet tregu dhe ekonomia shqiptare, si dhe lidhja e saj me tregun kosovar, ka bërë që të rritet ndjeshëm interesi i investitorëve të huaj për vendin tonë. Shumë përfaqësi të këtyre të fundit kanë nisur që të vijnë dhe të vendosin kontakte të frytshme me partnerë shqiptarë në sektorë të ndryshëm të biznesit. Një gjë e tillë ka nisur që të shikohet me perspektivë edhe prej investitorëve dhe sipërmarrësve italian, shumë prej të cilëve e konsiderojnë me të drejtë Shqipërinë si rajonin e fundit lindor të Italisë, që akoma nuk është zhvilluar si duhet. Nisur nga kjo, gjatë dy ditëve të fundit një delegacion i përfaqësuesve më të lartë të Konfindustrisë piemonteze, i përfaqësuar nga Sebastiano Consentino, presidenti i Konfindustrisë piemontese, dr. Maria Luisa Gallo, përfaqësuese e Marrëdhënieve me Jashtë në “API-Torino” (Shoqata e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Piemontes), Michele Sabatino, sekretar i Përgjithshëm i “CNA”-së Piemonte, po zhvillon takime në Tiranë. Delegacioni që shoqërohet edhe nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Torino, Piemonte, Giovanni Firera, zhvilloi dje takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë shqiptare, të biznesit, si dhe me presidentin e Konfindustrisë shqiptare, inxhinier Hajredin Fratari. Nga takimet me përfaqësuesit e biznesit shqiptar dhe Konfindustrisë shqiptare, nga përfaqësuesit italianë të “CNA”-së është kërkuar bashkëpunimi në rrugë institucionale për ngritjen e përfaqësisë së biznesit piemontez në Shqipëri. Po kështu përfaqësuesit e Konfindustrisë piemontese kërkuan edhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, si një çelës për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Përfaqësuesit e Konfindustrisë shqiptare i kanë njohur homologët e tyre italian me zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, si dhe me mundësitë që tregu shqiptar ofron për investitorët dhe biznesmenët italian që duan të investojnë këtu. Interes nga pala italiane është shprehur edhe për tregun kosovar, duke e konsideruar atë si një pjesë të përbashkët të tregut 7 milionësh shqiptar në rajonin e Ballkanit.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›