Ministria e Financave, gati amnistinë fiskale për bizneset borxhlinj
Ministria e Financave po përgatit një draft për amnisti fiskale për bizneset me CV-në më të mirë dhe për të ashtuquajturit "ata të pagjeturit". Sipas të dhënave zyrtare të kësaj ministrie, aktualisht një grup pune po punon në drejtim të krijimit të një drafti, pasi shumë biznese kanë punuar në të zezë, dhe i janë shmangur taksave. Burime zyrtare të kësaj ministrie bënë të ditur se drafti, i cili ka të bëjë me borxhet e këqija, synon amnistinë fiskale për një grup të konsideruar biznesi, ku përfshihen bizneset me borxhet e këqija që s’kanë bërë krime, si dhe ata të pagjeturit. Ndërkohë po nga kjo ministri po shikohet edhe mundësia e zgjerimit të kësaj amnistie edhe për subjekte të tjera private.
Shoqëritë e sigurimeve paguajnë minimumin e dëmeve për klientët
Shoqëritë e sigurimeve që operojnë në Shqipëri u paguajnë minimumin e dëmeve të shkaktuara klientëve të tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, rezulton se totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 4-mujorin e parë të vitit 2008 ishte rreth 404 milionë lekë, ose 21.48 për qind më pak se në janar-prill të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto, sipas specialistëve të AMF-së, ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil", i cili rezulton me një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve me rreth 59.83 për qind dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 40 për qind, krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 339 milionë lekë, apo 84.03 për qind të totalit.
Vendimi, tokat bujqësore të lëna djerrë do të jepen me koncesion
Ministria e Bujqësisë do të fillojë në 6-mujorin e dytë të këtij viti dhënien me koncesion të tokave bujqësore, që janë nën administrim shtetëror, për prodhim bujqësor dhe blegtoral sipas kërkesave të paraqitura nga biznesi privat. Sipas ministrit Gjana, “tokat bujqësore, të refuzuara nga fermerët e që janë lënë pa u punuar, do të jepen me koncesion”. Në këtë periudhë do të realizohet koncesioni i parë për një sipërfaqe prej 1000 ha tokë në një zonë të thellë kodrinore midis Kavajës dhe Lushnjës për ullishte. Nga të dhënat e përafërta rezulton se 10-15 për qind e sipërfaqes së tokës bujqësore nuk shfrytëzohet, duke lënë jashtë qarkullimit ekonomik së paku 50 mijë ha tokë.
Produktet “Made in Albania” në një panair të posaçëm në qershor
Alb-Konfindustria, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, do të organizojë në datat 26-28 qershor në Tiranë, të parin panair mbarëkombëtar të prodhimeve shqiptare "Made in Albania". Ky panair synon prezantimin e industrive më të rëndësishme mbarëshqiptare me prodhimet dhe shërbimet që ato ofrojnë, në kushtet e garës konkurruese të tregjeve globale. Gjatë ditëve të këtij panairi që do të zhvillohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, kompanitë pjesëmarrëse do të prezantojnë edhe projektet e zhvillimit të mëtejshëm të bizneseve të tyre. Organizimi i këtij panairi është pjesë e nismës së Alb-Konfindustria për krijimin e tregut mbarëkombëtar shqiptar prej 7 milionë banorësh.
Ankandi, u nxorën dje për shitje 22.5 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 22.5 miliard lekë bono thesari të Qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 17 qershor, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen përkatësisht në datat 04.09.2008, 18.12.2008 dhe 18.06.2009.
14 Qershor 2008