E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli fton të rinjtë të bëhen pjesë e politikës



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ftuar të rinjtë qytetit të Shkodrës që të bëhen pjesë e politikës. Nënkryetarja e Partisë Demokratike e bëri këtë deklaratë gjatë pjesëmarrjes në një takim të organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike, dega Shkodër. “Jam shumë e lumtur që jam sot në këtë sallë, të mbushur plot me të rinj e të reja, entuziastë për arritjet e Shqipërisë, entuziastë për të ardhmen e saj. Sot kam ardhur te ju me një qëllim të veçantë, t’ju ftoj të bëheni pjesë e politikës, t’ju ftoj të bëheni pjesë e përpjekjeve tona drejt Bashkimit Europian, të bëheni pjesë dhe mbështetës të reformave të mëdha që ka ndërmarrë Shqipëria. Ju jeni të rinjtë e një vendi të suksesshëm, të një vendi që ulet sot në tryeza së bashku me vendet më të zhvilluara të NATO-s, ju jeni të rinjtë e një vendi që po ratifikon me ritme të përshpejtuara MSA-në dhe së shpejti shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Europian”, - është shprehur Topalli. Më tej Topalli shtoi se Partia Demokratike i ka të hapura dyert për të gjithë të rinjtë që duan t’i bashkohen asaj. “Shkodra i ka rrezatuar gjithë Shqipërisë vokacionin e saj perëndimor. Ne dhe ju jemi krenarë për imazhin e ndryshuar që gëzon Shqipëria sot në botë. Unë jam këtu për t’ju thënë se Partia Demokratike është e hapur për investimin tuaj në të dhe se ju do të jeni deputetët e ardhshëm europianë”, - është shprehur nënkryetarja e PD-së. Dhjetëra të rinj shkodranë iu bashkuan dje Forumit Rinor Demokratik të këtij qyteti, duke marrë teserën e anëtarësimit nga nënkryetarja e PD-së Topalli. Në këtë aktivitet Topalli shoqërohej nga deputetët Astrit Bushati, Ramiz Çoba, si edhe drejtues lokalë të Shkodrës.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›