E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata mister, pranga trafikantit të marijuanës

Policia e Gjirokastrës arrestoi dje në mëngjes Qani Dobjanin. Në mjetin që drejtonte u gjetën 60 kilogram marijuanë

GJIROKASTËR – Një telefonatë e mbërritur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në policinë e Gjirokastrës, se një makinë e marrë me qira në një prej distributorëve të njohur të automjeteve në vendin tonë, ka mjaftuar që të zbulohen dhe sekuestrohen rreth 60 kilogram drogë, e llojit marijuanë. Policia e Gjirokastrës sekuestroi rreth orës 2 të mëngjesit të së premtes drogën që po transportohej me një automjet, me shofer shtetasin Qani Dobjani. Operacioni u realizua në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, në rrugën nacionale Gjirokastër – Tepelenë, ndërkohë që forcat e rendit prangosen drejtuesin e mjetit. Sipas burimeve policore, marijuana kishte destinacion të përkohshëm qytetin e Fierit.
Arrestimi
Zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, tha se " lënda narkotike u sekuestrua rreth orës 02:10 në automjetin tip "Volksvagen Polo", me targë TR 8868 L, me drejtues shtetasin Qani Dobjani, 51 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, i cili e kishte marrë këtë mjet me qira tek firma "Volksvagen" dhe udhëtonte në drejtim të Fierit". "Droga e sekuestruar ndodhej në sediljen e pasme të makinës, e vendosur në 40 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, me peshë 2 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit “marijuanë'", theksoi Mullai. Sipas tij, droga u sekuestrua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga shërbimet e policisë së komisariatit të Gjirokastrës, për një automjet, i cili mund të transportonte lëndë narkotike në drejtim të Fierit. Mësohet se policia bëri sekuestrimin e lëndës narkotike, të automjetit në cilësinë e provës materiale, si dhe arrestoi 51-vjeçarin Dobjani, për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Zëdhënësi Mullai tha se policia po punon për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Rastet
Më 11 maj të këtij viti policia e Gjirokastrës arreston në flagrancë Besnik Bronkerin pasi po transportonte rreth 600 kg marijuanë. Ai mbeti i plagosur nga plumbat e policisë pasi tentoi të largohet. Ndalimi i Bronerit u bë mbrëmjen e datës 11 maj rreth orës 23.55 në aksin rrugor Tepelenë –Fier, në vendin e quajtur klubi i Ali Pashait, në dalje të qytetit të Memaliajt. Policia ndaloi drejtuesin e kamionit, shtetasin Besnik Bronkeri, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë. Më 1 maj policia gjeti dhe sekuestroi 161 kilogram marijuanë, por pa mundur të prangosë autorët. Gjatë muajve të fundit janë shënuar disa raste të zbuluara nga policia në tentativën për kalimin e lëndëve narkotike nga pika kufitare e Kakavijës drejt Greqisë, ku janë përfshirë jo vetëm shtetas shqiptarë, por edhe të huaj.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›