Asgjësohen 34 tonë përbërës toksikë
Ministria e Mbrojtjes dhe Misioni i OSBE-së në Shqipëri finalizuan dje projektin për asgjësimin e 34 tonë përbërës toksikë karburanti raketash, të njohur si melanzh. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, kreu i OSBE-së Robert Bosch i dorëzoi Arben Imamit një certifikatë për përfundimin e projektit. Gjatë aktivitetit të djeshëm u nënshkrua edhe akti i dhurimit të gjashtë sharrave metalike që do të përdoren në procesin e demontimit të municioneve të tepërta në vendin tonë. Akti i dhurimit u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch dhe ambasadori i Danimarkës, Jensen. Gjashtë makineritë gjysmë automatike prerëse model Startrite KMT 350 KSA do të vihen në punë së shpejti në repartet e çmontimit në Poliçan dhe në Mjekës.