Shembja e 12-katëshit, përleshje mes dy policive
Etleva Delia
Policia ndërtimore rifilloi mëngjesin e djeshëm aksionin për shembjen e pallatit 12-katesh në pronësi të Ilir Matës, kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza. Veprimet e policisë ndërtimore shkaktuan incidente me deputetë të Partisë Socialiste që tentuan të hynin në pallat me qëllim pengimin e shembjes. Deputetë të Partisë Socialiste me mbështetjen edhe të Policisë Bashkiake u konfrontuan me Policinë e Rendit, e cila kishte rrethuar zonën për të siguruar punën e Ndërtimores, në mënyrë që të mos kishte të lënduar nga rrëzimi i godinës. Rreth orës 08:45 disa deputetë të Partisë Socialiste tentuan të hyjnë në ambientet e pallatit, i cili ishte rrethuar me kordonë nga policie. Forcat e rendit kanë penguar deputetët Shegush Ligori, Besnik Baraj, Ilir Gjoni, Sajmir Tahiri, Eduart Shalsi, Dashamir Peza dhe Vasilika Hysi. Momentet e tensionit kanë vazhduar për disa minuta. Në vendin ku po zhvillohej aksioni i Policisë Ndërtimore, pas 15-katëshit, në qendër të kryeqytetit, ka pasur edhe konfrontime fizike mes deputetëve PS-së dhe punonjësve të Inspektoratit të Policisë Ndërtimore, të cilët nuk kanë lejuar deputetët të hyjnë brenda pallatit. Burime nga policia thanë që në këtë incident janë përfshirë edhe punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët vepruan në favor të deputetëve duke kundërshtuar Policinë e Rendit. Shembja e pallatit është ndërprerë rreth orës 10:30, pasi pronari Ilir Mata, i cili ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes, është larguar për të depozituar një kërkesë në gjykatë kundër urdhrit të shembjes. Ai ka pretenduar se ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e godinës dhe veprimi i Ndërtimores sipas tij është antiligjor.
REAGIMI I POLICISË
Pas incidentit që ndodhi dje mes deputetëve socialistë, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Rendit, Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka reaguar duke u shprehur se ka vepruar konform ligjit dhe madje për këtë konfrontim ka përgatitur dhe do të dërgojë kallëzim penal në prokurori. Në deklaratën e policisë së Tiranës, thuhet se është në praktikën e punës së Policisë së Shtetit dhe njëkohësisht një detyrim ligjor që të mbështesë veprimtarinë e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, si të atij qendror ashtu edhe të atij vendor. “Vetëm gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka mbështetur në 5 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe në 675 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në deklaratën e policisë. Sipas policisë forcat e rendit kanë tentuar dhe janë konfrontuar me punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kishin bllokuar zonën për të garantuar veprimtarinë normale të Inpektoriatit Ndërtimor. “Për këto veprime antiligjore të kryera nga Policia Bashkiake, kemi përgatitur dhe do të dërgojë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në deklaratë.
Gjykata e Tiranës, urdhër për pezullimin e shembjes së pallatit
TIRANE – Ilir Mata, pronari i godinë 12-katëshe që nisi të prishej nga Policia Ndërtimore dy ditë më parë iu drejtua dje Gjykatës së Tiranës për të kundërshtuar atë çka po i ndodh pronës së tij. Paraqitja e tij në gjykatë frenoi aksionin e ndërtimorëve për vazhdimin e prishjes së pallatit, ndërsa do të jetë vendimi i gjykatës ai që do të “diktojë” prishjen apo jo të ndërtesës. Dje gjykata përzgjodhi gjyqtarin që do të shqyrtojë kërkesën, shqyrtimi i të cilës pritet të bëhet në një nga pesë ditët në vazhdim. Paraditen e djeshme Ilir Mata, kunati i deputetit Dashamir Peza të Partisë Socialiste, depozitoi në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit një kërkesë padi për “shfuqizim, ndryshim akti administrativ”. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit, sqaruan se në kërkesë e paraqitur pranë togave të zeza, Mata kërkon pezullimin e veprimeve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Gjithashtu Mata kërkon mosekzekutim të urdhrit të Inspektoratit të Ndërtimit, për prishjen e pallatit në pronësi të tij. Shorti elektronik i gjykatës së kryeqytetit përzgjodhi dje gjyqtaren Arjana Caco, si togën e zezë që do të shqyrtojë këtë kërkesë. Ditën e djeshme, pas depozitimit të kërkesë padisë në gjykatë, u ndërpre aksioni i prishjes së pallatit. Referuar ligjeve në fuqi, aksioni i prishjes është i pezulluar deri në shqyrtimin e kërkesës nga gjykata dhe dhënien e një verdikti. Fadromat e Policisë ndërtimore nisën të shkatërrojnë fasadën e pallatit që figuron në pronësi të Ilir Matës pasditen e së hënës. Sipas ndërtimorëve, godina 12-katëshe e ideuar për t’u bërë hotel nuk ishte e hipotekuar, nuk gëzonte leje ndërtimi dhe është ndërtuar në një pronë publike. ar.ba