Banorët e zonës dalin në mbështetje të Ndërtimores
TIRANE – Banorët e zonës ku ndodhet pallati i kunatit të deputetit Dashamir Peza, kanë mbështetur policinë ndërtimore në shembjen e objektit. Qytetarët që banojnë në zonën pas “15-katëshit”, në qendër të kryeqytetit, kanë mbështetur aksionin e Policisë Ndërtimore, duke shprehur edhe shqetësimet e tyre që kishin nisur që prej kohës kur pallati kishte filluar të ndërtohej. “Jemi ankuar disa herë në Bashkinë e Tiranës, por askush nuk na ka kthyer përgjigje. Ndërtimi i këtij pallati ka penguar prej kohësh lëvizjen tonë, ka izoluar prej kohësh zonën ku ne jetojmë prej vitesh dhe jemi banorë autoktonë”, janë shprehur disa nga banorët e zonës ku është ndërtuar pallati. Më pas ata kanë shpjeguar se fillimisht kishin mësuar nga punëtorët e ndërtimit të kësaj godine, se ishte parashikuar që në katetet e para të pallatit do të ishte një tunel që do të lidhte pjesën para tij me pjesën e pasme, për të mundësuar lëvizjen e banorëve. Por sipas tyre ishte vepruar ndryshe dhe pallati u kishte zënë komplet zonën ku ata banojnë prej vitesh.