E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE: Moment i errët, duhet dialog

 

Krerët e forcave politike në Shqipëri duhet të ulen në tryezën e bisedimeve edhe në rast mosmarrëveshjesh, nëse duan të bëhen pjesë e traditës së Bashkimit Evropian. Këtë mesazh e dha dje presidenca suedeze, një ditë pas deklaratës së Këshillit Evropian për Çështjet e Përgjithshme të BE-së. Sipas “Top Channel” i pyetur se ç’kuptim ka përsëritja e mesazhit për një dialog konstruktiv politik, kur partitë kryesore mbajnë qëndrime ekstreme duke ashpërsuar gjuhën ndaj njëra-tjetrës, ministri Carl Bildt u përgjigj se politikanët shqiptarë duhet të ulen në tryezë që të arrijnë marrëveshje mbi mosmarrëveshjet nëse duan ta integrojnë vendin në Bashkimin Evropian. “Përsa i takon gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, situata është e errët për momentin. Unë do t’i bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen. Mund të mos bien dakord ndonjëherë, por duhet marrëveshje për të çuar vendin përpara. Dhe këtë mesazh mendoj se e gjeni në këto konkluzione, mesazhin që nëse ata duan të vijnë në Bruksel, nëse ata duan të jenë pjesë e Evropës, Evropa ka dialog mes liderëve politike, edhe në raste mosmarrëveshjesh. Ne shpresojmë se Shqipëria do t’i bashkëngjitet kësaj tradite sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Bildt. Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, Këshilli Evropian njeh progresin e bërë në përmbushjen e kritereve dhe ministri suedez, në konferencën për shtyp, bëri të ditur se ky proces do të kurorëzohet vitin e ardhshëm edhe për Shqipërinë e Bosnjën, dy vendet që ngelën jashtë listës së parë ku bënin pjesë Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në konkluzionet e tij, Këshilli thekson se Shqipëria duhet të forcojë shtetin ligjor, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, në mënyrë urgjente duhet të garantojë pavarësinë e gjyqësorit, të administratës publike, të mundësojë funksionimin e duhur të institucioneve shtetërore. Ndërkohë që kërkohen më shumë përpjekje për të rritur kapacitetet administrative, si dhe kushtet e lirisë së medias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›