E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pallati 12 kate, për 8.1 mijë lekë në vit”

 

Ministria e Punëve Publike, zbardh dokumentet e ndërtimit 12 katesh në qendër të Tiranës që ka filluar të shembet nga Inspektorati i Ndërtimit. Ministri Olldashi, paraqiti dje katër dokumente që tregojnë, sipas tij, shkeljet abuzive të lejes së ndërtimit, pronësisë mbi tokën dhe urdhrit të KRRTRSH.
Kronologjia e dokumenteve
Pallati i ndërtuar në qendër të Tiranës ka leje ndërtimi të miratuar në tetor të vitit 2001. Në dokumentet e paraqitura dje, leja e ndërtimit jepet për një pallat 11 dhe 12 katesh, në pronë të Ilir Mata. Por në pikën 2 të kësaj leje, theksohet se “Zbardhja e lejes së sheshit do të bëhet pasi të ketë bërë një kontratë paraprake me Këshillin Bashkiak për blerjen e truallit publik, që shfrytëzohet për realizimin e këtij objekti, në bazë të çmimit të liberalizuar të tregut për vetë pozicionin ku ndodhet”. Dokumenti tjetër i paraqitur nga Olldashi, është ai i dhënies me qera të truallit, nga Bashkia në interes të Ilir Mata. Dokumenti mban datën 9 korrik 2002, dhe është vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në pikën 1 të vendimit, këshilli vendos të japë me qera “të truallit për ndërtim me sipërfaqe 54 metra katrorë në rrugën “Urani Pano”, në favor të z.Ilir Mata”. Në pikën 2 të vendimit theksohet se kjo qera do të vazhdojë deri në rifillimin e procesit të shitjeve të trojeve sipas legjislacionit në fuqi. Duhet theksuar se në atë kohë, Këshilli Bashkiak kishte pezulluar shitjen e trojeve.
Dokumenti i tretë i paraqitur nga Ministri është ai i lidhjes së kontratës së qerasë mes kreut të Bashkisë Edi Rama dhe Ilir Mata. Marrëveshja është bërë në gusht të vitit 2002 dhe parashikon dhënien me qera të 51 metra katrorë në rrugën “Urani Pano”, me një çmim prej 8160 lekë në vit.
Dokumenti i katërt i ministrit, ishte ai i vendimit pas kontrollit të ushtruar nga Policia Ndërtimore. Në dhjetor të vitit 2003, Policia Ndërtimore mori vendim për pezullimin e ndërtimit, pasi gjeti shkelje në zbatimin e lejes së ndërtimit, numrin e kateve, madhësisë së ndërtimit, etj. Drejtori i asaj kohe, i Policisë Ndërtimore, Mark Nikolla, ka firmosur dokumentin ku kërkohet pezullimi i vazhdimit të punimeve, në qershor të vitit 2004.
Dokumenti i pestë i Olldashit, ishte vendimi i KRRTRSH së Republikës, i cili mban datën 15.03.2005 dhe firmën e ish-kryeministrit Fatos Nano. Sipas vendimit, lejohet vazhdimi i ndërtimit të pallatit, por në pikën dy theksohet se “Bashkia Tiranë të parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik Veri-Jug”
Olldashi
Duke paraqitur dokumentet, ku theksohej se Këshilli Bashkiak duhet të kryente shitjen e truallit në favor të ndërtuesit, Ministri Olldashi theksoi se akoma një akt i tillë nuk është kryer. “Presupozohet që leja do të zbardhet, pasi trualli publik të shitet, në fakt trualli nuk është shitur. Këtu i ka rënë shkurt, ka bërë një dhënie me qera, pra trualli publik, rrugën që lidhte godinat e tjera të atij pellgu e ka dhënë me qera”. Ministri ironizoi edhe çmimin e qerasë. “Qeraja vjetore është 81 mijë lekë të vjetra në vit. Në qoftë se secili prej jush parkon automjetin e tij në një nga rrugët e Tiranës dhe e lë atje të parkuar për një vit, do të paguani jo më pak se 365 mijë lekë të vjetra në vit. Zotëria ka marrë një pallat me 12-kate dhe paguan 81 mijë lekë. Kjo është politika e Bashkisë së Tiranës që ndiqet me ndërtimet”. Në fund ministri ka theksuar se shembja e të tilla ndërtimeve do të vazhdojë. “Po lirojmë rrugën, rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit zotëria e ka marrë me qera pafundësisht. Ky është vendimi që ne po zbatojmë dhe ky është vendimi që ne kemi ndërmend t’i shkojmë deri në fund. Një pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rrijë në këmbë, dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vend do të funksionojë ligji”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›