Asgjësohen 50 rrënjë Cannabis, pronari i zhduket policisë
VLORË - Rreth 50 rrënjë bimë narkotike, Canabis Sattiva u asgjësuan mbrëmjen e së hënës në afërsi të fshatit Penkovë, rreth 20 km larg qytetit të Vlorës. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se bimët narkotike, me një lartësi 2.2 metra, u zbuluan në një parcelë pa pronar, në vendin e quajtur "Pylli me Pisha". Ky aksion i policisë pason atë të dy ditëve më parë, kur në afërsi të fshatit Gjorm, u zbuluan dhe asgjësuan 470 rrënjë kanabis, ndërkohë që u ndalua një 40 vjeçar, që dyshohej të ishte personi që kishte kultivuar bimët narkotike.
Ndalohet 20 vjeçari për falsifikim dokumentesh
VLORË - Një 20 vjeçar u ndalua nga policia e Vlorës, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumentet personale, për të përfituar një pasaportë udhëtimi për jashtë shtetit. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Rezarta Leli, tha se Rustem Dushaj, banues në fshatin Karbunarë, u ndalua në përfundim të procesit te verifikimit të dokumenteve të tij personale, që ishin depozituar në zyrën e pasaportave në komisariatin e policisë". Sipas saj, Dushaj kishte aplikuar pranë kësaj zyre, për t’u pajisur me dokumentin e udhëtimit për jashtë vendit, por në emër të një personi tjetër.
Asgjësohen 2 kuintalë ushqime të skaduar
ELBASAN - Të paktën 2 kuintalë produkte ushqimore janë asgjësuar gjatë muajit gusht në subjektet prodhuese dhe të tregtimit të artikujve ushqimorë, pasi ishin të skaduara. Shefi i Sektorit të Sigurisë Ushqimore në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë, Sotir Panxhi, tha se "gjatë muajit gusht, në bashkëpunim edhe me policinë bashkiake, kemi zhvilluar 90 kontrolle në subjektet tregtare me qëllim verifikimin e kushteve të tregtimit, ruajtjes së mallrave, etiketimit, origjinës, datave të skadencës etj", Sipas tij, janë gjobitur edhe shtatë subjekte të prodhimit të byrekëve e bukëve".
Gjendet e vetëvarur 54 vjeçarja e divorcuar
DURRËS - Një 54 vjeçare u gjet e vetëvarur në banesën e saj në periferi të Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bënë të ditur se "H.Rr., 54 vjeç, lindur në Tropojë dhe banuese në lagjen nr. 14 të qytetit bregdetar, u gjet e vetëvarur mbrëmjen e së hënës në traun e korridorit të jashtëm të banesës së saj". Sipas hetimeve paraprake, rezulton se 54 vjeçarja që ishte divorcuar prej disa kohësh vuante nga një sëmundje depresive. Ky rast e rrit ndjeshëm numrin e personave që i kanë dhënë fund jetës me mjete të ndryshme në Qarkun e Durrësit.
Ndalohet banda e grabitësve kuksianë në Rrogozhinë
RROGOZHINË - Forcat policore të Rrogozhinës kanë pohuar se kanë bërë të munduar arrestimin e tre të kërkuarve, të cilën dy ditë më parë kanë goditur një tjetër banor të Rrogozhinës. Sipas burimeve të policisë, tre kuksianët me banim në Rrogozhinë janë ndaluar dje nga forcat blu. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur një armë zjarri i tipit pushkë dhe një vinç me elektromotor, i vjedhur para disa kohësh në Golem. Pas mbarimit të procedurave të gjitha materiale i janë kaluar Prokurorisë për procedim të mëtejshëm penal.
"Arrest me burg" për banorët e fshatit Lazarat
GJIROKASTËR - Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër vendosi dje masën "arrest në burg" për tre banorët e fshatit Lazarat, që u ndaluan tre ditë më parë gjatë operacionit të koduar "Siguria e Jetës". Prokurori i çështjes, Spartak Çoçoli, i ka kërkuar dy ditë më parë trupit gjykues që tre të pandehurit, përkatësisht Xhemali dhe Urim Mahmuti, babë e bir, 46 dhe 18 vjeç, si dhe Oldian Proko, 18 vjeç, të vazhdojnë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në burgun e Bënçës (rreth pesë kilometra larg qytetit të Tepelenës), deri në përfundim të procesit gjyqësor, pasi ata kanë konsumuar veprën penale "kundërshtim të forcave të rendit" dhe "armëmbajtje pa leje".
Tenton vetëvrasjen në zyrën e tij punonjësi i policisë
POGRADEC - Një punonjës i policisë kufitare në komisariatin e Pogradecit ka tentuar vetëvrasjen duke qëlluar mbi veten e tij me pistoletën e shërbimit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se Begator Pupa, 37 vjeç me banim në Pogradec dhe me detyrë punonjës i policisë kufitare në repartin GOS ka qëlluar mbi veten e tij me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 të ditës së djeshme. Akti është kryer në një zyrë të repartit të kufirit ku polici Begator Pupa po kryente shërbimin. “Efektivi kufitar ka qëlluar një herë me pistoletë kraharorin dhe ka mbetur i plagosur. Ai është dërguar në spitalin lokal ku iu nënshtrua ndërhyrjes mjekësore dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
10 Shtator 2008