E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektori i Korçës: "Jemi ende larg autonomisë së universiteteve"

Flet Gjergji Mero, rektor i universitetit "Fan Noli", në prag të vitit të ri akademik

Tashmë ka mbetur më pak se një muaj për të filluar viti i ri akademik. Zoti rektor, sa do të jetë numri i pranimeve të studentëve me kohë të plotë në universitet? Po part-time? Krahasuar me vitin e kaluar, a do të ketë numër më të lartë pranimesh për vitin 2008-2009?

Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, ashtu si mbarë universitetet e tjera shqiptare, po përgatitet intensivisht për të filluar sa më denjësisht vitin e ri akademik 2008-2009 si në aspektin e përmirësimit dhe reformimit të kurrikulave, planeve dhe programeve mësimore, ashtu edhe të zgjerimit dhe modernizimit të mjediseve të mësimit dhe atyre çlodhëse, për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë studentëve dhe stafit akademik për zhvillimin sa më cilësor dhe bashkëkohor të mësimit. Viti i ri akademik do ta gjejë universitetin tonë me më shumë studentë të rinj se vitet e tjera, sepse ne presim ta fillojnë atë në vitin e parë rreth 200 studentë më shumë se në vitet e shkuara. Kjo prurje, që ne mendojmë të kemi në këtë vit akademik, ka të bëjë me kërkesat gjithnjë e në rritje që kanë të rinjtë e rajonit të Korçës, por edhe më gjerë, për të studiuar pranë universitetit tonë, në programet e studimit që ne kemi sot si në formën e studimit më kohë të plotë, ashtu dhe atë me kohë të pjesshme, në besimin që ata kanë te stafi akademik i brendshëm apo i jashtëm për përkushtimin në mësimdhënie dhe kualifikimin e tij ambicioz, te mundësitë që u ofrohen atyre pas përfundimit të këtyre programeve të studimit për punësim dhe vazhdim të mëtejshëm studimesh në programe studimi të cikleve të tjera. Për formën e studimit me kohë të pjesshme, për këtë vit shkollor ne kemi kërkuar kuota pranimi në disa degë, ku edhe kërkesat janë më të mëdha dhe jemi në pritje të miratimit të tyre nga MASH-i.

A do të hapen programe të reja studimi në universitetin tuaj? Nëse po, cilat janë?

Sivjet në Universitetin e Korçës do të hapen dy programe të reja studimi: Matematikë-Fizikë dhe dega e Matematikë-Informatikë, të cilat do të plotësojnë më së miri kërkesat që ka rajoni për mësues të këtyre profesioneve mjaft të kërkuara nga tregu i punës. Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të hapur edhe programe të të tjera, si në Fakultetin e Mësuesisë, të Bujqësisë etj., të cilat vijnë si një nevojë imediate e tregut të punës dhe janë mjaft të kërkuara. Duke reflektuar rreth vërejtjeve e sugjerimeve që na bëri Agjencia e Akreditimit e Arsimit të Lartë për kurrikulat e programeve të reja të studimit, që mendojmë të hapim për vitin akademik 2009-2010, si p.sh., Histori-Gjeografi, Biologji-Kimi, Gjuhë Italiane, Gjuhë Frënge etj., kemi përgatitur kurrikulat e tyre sipas standardeve të kërkuara dhe do t’i dërgojmë për miratim në MASH në një periudhë të afërt kohe. Jemi përgatitur dhe po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për rekrutimin e stafit akademik sa më të kualifikuar, i cili do të japë mësim në këto programe studimi, si dhe për ngritjen e laboratorëve mësimore sa më bashkëkohorë, për t’i ardhur sa më mirë në ndihmë rritjes cilësore të mësimit. Në këtë kuadër një ndihmesë të padiskutueshme do të na japë programi “Brain Gain” i qeverisë shqiptare, me të cilin presim të rekrutojmë rreth 20 pedagogë të rinj me tituj e grada shkencore.

Një ndër pikat më të rëndësishme është cilësia e mësimdhënies. A keni kapacitetet e duhura për ta realizuar këtë proces sipas standardeve?

Një ndër problemet më aktuale dhe mjaft të mprehta për plotësimin e standardeve që kërkon sot Ligji i Arsimit të Lartë është rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe plotësimi i kërkesave gjithnjë e në rritje për staf të kualifikuar dhe të aftë për t’i përballuar sfidat që shtrohen sot para arsimit të lartë. Në universitetin tonë është angazhuar një personel akademik i përbërë nga 93 pedagogë efektivë dhe 135 të jashtëm, ndërsa 63 punonjës janë ndihmës mësimorë e administrativë. 35% e personelit akademik efektiv dhe 40% e pedagogëve të jashtëm janë me tituj e grada shkencore. Pjesa më e madhe e asistentëve të rinj, rreth 40, kanë kryer programin “Master” brenda dhe jashtë vendit. Kualifikimi i personelit dhe rritja në karrierën akademike ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një përparësi dhe në vëmendjen e departamenteve e fakulteteve, si një garë e domosdoshme vlerash për administrimin e cilësisë dhe akreditimin e universitetit. Krahas rritjes cilësore dhe kualifikimit të vazhdueshëm të stafit akademik, një punë e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen lidhur me ngritjen e laboratorëve mësimorë bashkëkohorë dhe përmirësimin e infrastrukturës së mjediseve të brendshme e të jashtme në universitet që do t’i shërbejë sa më mirë përmirësimit të cilësisë së mësimit dhe kualifikimit shkencor të stafit akademik dhe studentëve. Shumë shpejt Universiteti ynë do të ketë dhe një godinë të re, e cila do të lehtësojë zhvillimin e mësimit në kushte më komode dhe do të zgjerojë mjediset mësimore, të cilat deri tani nuk i kemi në ato kërkesa dhe standarde që kërkon koha. Për zhvillimin e leksioneve sa më cilësore dhe tërheqëse për studentët do të pajisim shumë shpejt sallat e leksioneve me aparate video-projektorë.

Shumë nga të rinjtë që mbarojnë studimet universitare nuk kanë njohuritë e domosdoshme për t’u përballur me tregun e punës. A mendoni se kjo është një e metë e fakulteteve? A keni ndërmarrë ndonjë hap për njohjen dhe ekuivalentimin e diplomës së universitetit tuaj në shtete të tjera?

Kjo pyetje nuk duhet përgjithësuar, por është e vërtetë se një pjesë e të rinjve që përfundojnë studimet e larta nuk kanë njohuritë e domosdoshme për t’u përballur me tregun e punës dhe me kërkesat e tij. Kjo kategori të diplomuarish, që për hir të së vërtetës nuk është pak, janë ata të rinj që nuk janë motivuar për shkollën e lartë, që kanë ardhur thjesht për të marrë një diplomë dhe jo për t’u bërë specialistë të zotë për profesionin që kanë zgjedhur dhe për të ardhmen e tyre. Mendoj se kjo gjë vjen jo se nëpër fakultete e universitete nuk punohet sa e si duhet, por kjo vjen kryesisht se këta të rinj vijnë me mangësi të theksuara nga shkollat e mesme, por, pa dyshim, nuk duhet mohuar fakti se edhe universitetet kanë përgjegjësi për këtë formim të mangët të tyre. Tashmë Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe futja e Universiteteve shqiptare në rrugën e akreditimit sipas standardeve që shtron Procesi i Bolonjës do të ndikojnë për ta përmirësuar këtë gjendje. E them këtë se ndërsa deri dje pothuajse të gjithë studentët që përfundonin shkollat e larta merrnin një diplomë të të njëjtit nivel, që i jepte mundësi punësimi si në sektorin privat ashtu dhe në atë publik (ku anësitë politike e miqësore asnjëherë nuk u shmangën dot, pavarësisht nga niveli me të cilin kishin përfunduar shkollën e lartë), me ligjin e ri grupimi i diplomave sipas niveleve të studimit që do të ndjekin të rinjtë, do t’i kategorizojë ata edhe sipas nivelit të njohurive të marra në shkollë mbi bazën e notës mesatare dhe krediteve të fituara. Kjo gjë mendoj se do t’i motivojë për të fituar sa më tepër kredite me një notë mesatare sa më të lartë për të vazhduar nivelet më të larta të diplomimit, çka do t’i diferencojë me të tjerët që do të mbeten vetëm me diplomën e nivelit të parë, me të cilën mundësitë e punësimit do të ngushtohen mjaft. Kjo mendoj se do të jetë një nga rrugët për të rritur numrin e studentëve më cilësorë dhe do të kufizojë indiferentët dhe të dobëtit.
Ekuivalentimi i diplomave me universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit do të bëhet kur universiteti ynë të ketë përmbushur më së miri kërkesat dhe standardet që kërkon Ligji i Arsimit të Lartë, Procesi i Bolonjës, pra kur ne të jemi integruar në zonën evropiane të arsimit të lartë. Ne jemi përpjekur dhe vazhdojmë të punojmë për t’i plotësuar këto standarde, për të qenë sa më pranë dhe sa më shpejt në familjen e tyre. E dimë se ky proces dhe kjo punë është e lodhshme dhe e vështirë, por jo e paarritshme. Të gjitha këto synime ne i kemi konkretizuar në bazë të Strategjisë Kombëtare të Arsimit të Lartë.

Prej kohësh ka nisur një debat për cilësinë e arsimit të lartë në universitetet publike në Shqipëri. Çfarë hapash keni ndërmarrë për rritjen e standardeve në universitetin tuaj?

Universitetet publike në Shqipëri prej vitesh po punojnë për rritjen cilësore të tyre, ku edhe Universiteti i Korçës nuk bën përjashtim. Debati që ka nisur dhe do të vazhdojë për cilësinë e arsimit të lartë në universitetet publike mendoj se është një debat dobiprurës, sepse në këtë garë vlerash ne po njohim më mirë njëri-tjetrin, po ndihmojmë në shkëmbimin e përvojave pozitive, duke mbajtur të paprekur identitetin e secilit. Cilësia e arsimit të lartë në universitetet publike vërtet ka vend për t’u analizuar dhe për t’i bërë një analizë asaj do të jetë mjaft e dobishme një diskutim më i gjerë, por mendoj se dobësitë dhe mangësitë dihen, ato duhet të përmirësohen hap pas hapi mbi bazën e kushteve dhe proceseve të reja që ne po kalojmë. Në Universitetin tonë po punohet me mjaft përkushtim e profesionalizëm për rritjen dhe plotësimin e standardeve që kërkohen. Ne kemi përfunduar vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë në disa programe studimi, kemi marrë vërejtjet dhe sugjerimet që na ka bërë në këtë fazë vlerësimi Agjencia e Akreditimit dhe po punojmë për plotësimin e tyre. E dimë dhe jemi të ndërgjegjshëm se kjo punë kërkon angazhim, përkushtim dhe rritje të kapaciteteve mësimore dhe laboratorike, por me përgjegjësinë dhe angazhimin e gjithanshëm të gjithë personelit mësimor dhe atij ndihmës, ne do t’ia dalim me sukses kësaj sfide mjaft ambicioze për universitetin tonë.

Sa të pavarura janë realisht universitetet shqiptare në bazë të legjislacionit që është për autonominë e universiteteve?

Në pamje të parë, kur njihesh me legjislacionin për Arsimin e Lartë në Shqipëri, të duket se universitetet kanë një autonomi akademike, administrative dhe financiare. Duke e krahasuar me ligjin e mëparshëm për Arsimin e Lartë, ligji i ri ka ndryshime thelbësore dhe mjaft të dukshme e të rëndësishme për sa i përket kësaj pyetjeje që ju bëni. Me gjithë përmirësimet e bëra ende ka probleme për të cilat hapësirat e autonomisë, brenda kuadrit ligjor, duhet të ishin më frymë-dhënëse. P.sh., pavarësisht nga propozimet që ne dërgojmë në MASH për kuotat e pranimit, tarifën e shkollimit, procedurat e pranimeve të studentëve në universitete etj., Ministria i vendos apriori, pa marrë shumë parasysh propozimet tona. Kjo nuk është autonomi. Universiteti ynë kërkoi që të rritej tarifa e shkollimit për këtë vit akademik, por MASH la po atë tarifë që ne kishim vitin e kaluar, kur nga kjo e ardhur ne mbulojmë një pjesë të mirë të investimeve që do t’i përdornim në këtë vit shkollor.

Vitet e fundit janë hapur shumë universitete private. Si i vlerësoni standardet e tyre. Sa ka ndikuar kjo në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike? A do të lejoni që pedagogët tuaj të punojnë edhe në universitetet private?

Vitet e fundit janë hapur dhe vazhdojnë të hapen shumë universitete private për të cilat nuk marr përsipër të bëj analizë se si dhe sa ato plotësojnë standardet, sepse atë do ta bëjë procesi i akreditimit nëpërmjet agjencive të licencuara për këtë qëllim, ku të gjitha, si publiket dhe jopubliket, do të jenë të përfshira me të njëjtat kritere në këtë proces. Unë mendoj se MASH, para se t’i ketë dhënë lejen e çeljes së tyre, duhet të ketë pasur parasysh ato standarde dhe kritere që kërkon me kaq këmbëngulje dhe me të drejtë për universitetet publike, si p.sh., numrin e fakulteteve për çdo universitet, të departamenteve për çdo fakultet, të stafit akademik me tituj e grada, infrastrukturën e nevojshme mësimore etj., ndaj dhe nuk mund të gjykoj ndryshe. Gjykoj se për sa i përket cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike dhe kontingjentit që vjen sot tek ta, hapja e universiteteve private ka ndikim pozitiv, sepse një pjesë e maturantëve që nuk marrin dot provimet me zgjedhje po shkojnë tek ato jopublike, për të cilat këto provime nuk janë kusht për t’u pranuar. Pra ky kontingjent jocilësor ne po na largohet. Kjo nuk duhet absolutizuar për të gjitha universitetet jopublike, sepse disa prej tyre kanë treguar se janë mjaft cilësore dhe të niveleve bashkëkohore. Pedagogët e Universitetit të Korçës, si të gjithë universiteteve publike të Shqipërisë kanë detyrime të normuara ligjore për mësimin, kërkimin shkencor dhe kualifikimin e tyre, sipas një marrëveshjeje që do të nënshkruhet me ta në fillim të çdo viti akademik. Pasi çdo pedagog të ketë plotësuar detyrimet që ka ndaj institucionit tonë dhe pa cenuar procesin tonë mësimor, ai mund të punojë në çdo universitet privat.
Ju faleminderit për mundësinë që më krijuat nëpërmjet kësaj interviste për të treguar punën që ne po bëjmë dhe do të bëjmë në të ardhmen e afërt, për ta integruar sa më shpejt universitetin “Fan S. Noli” të Korçës në familjen e madhe europiane të arsimit të lartë.

Intervistoi: Albert Gjoka

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›