E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja: Do te bejme sugjerimet tona per projektiligjin



Luan Kondi

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka nisur shqyrtimin e projektligjit mjaft të diskutuar, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë për organizimin e institucionit të akuzës. Ditë më parë gazeta “Albania” ngriti si shqetësim disa ndryshime që kishin të bënin me imunitetin e prokurorëve si dhe ndërhyrjen e Ekzekutivit edhe gjatë procesit të hetimit, pra ndryshimit të nenit 56, që lidhet me këtë çështje, nga i cili preken disa nga çështjet më të zëshme që janë në hetim, si ajo e tragjedisë së Gërdecit. Në një komunikim për mediat, pas një aktiviteti të organizuar nga misioni “PAMECA” në Hotel Tirana Internacional, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha se “është ngritur një grup pune që do të shqyrtojë projektligjin në fjalë. Projektligji sapo na është vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe u është shpërndarë prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë, të cilët, pas shqyrtimit, do të japin mendimin e tyre. Pasi të realizohet ky proces do të vijë edhe mendimi institucional mbi këtë projekt”.
Deklarata
Prokurorja e Përgjithshme u rezervua në reagimin e saj në lidhje me projektligjin e ri për funksionimin e Prokurorisë përpara se ta shqyrtojë atë. Kryeprokurorja i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për projektligjin e ri shumë të diskutuar këto ditët e fundit. Kryeprokurorja konfirmoi se projektligji iu është dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë dhe se Prokuroria ka ngritur një grup pune për ta shqyrtuar atë. “Projektligji sapo na është vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe u është shpërndarë prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë, të cilët, pas shqyrtimit, do të japin dhe mendimin e tyre. Pasi të realizohet ky proces do të vijë edhe mendimi institucional mbi këtë projekt”, – tha kreu i organit qendror të akuzës, Ina Rama.
Imuniteti
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me kufizimin e imunitetit, pra ndryshimit të nenit mbi imunitetin e Prokurores së Përgjithshme dhe prokurorëve, të kontestuar ky nga shoqata e Prokurorëve, kreu i Organit të Akuzës i është përgjigjur se “nuk është paraqitur një ndryshim i tillë”. Edhe pse është këmbëngulur në këtë pikë, pra se a ndihej ajo e kërcënuar në imunitetin e saj, Rama preferoi të mos mbajë asnjë qëndrim në lidhje me këtë projektligj përpara se ta shqyrtojë atë. “Nuk ndihem e kërcënuar në lidhje me imunitetin tim. Gjithsesi për të mbajtur një qëndrim rreth një ligji nuk mendoj se ky është vendi i përshtatshëm. Mendoj se duhet të ulet të arsyetosh dhe të japësh argumente”, - sqaroi Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›