Ziso Kristopulli: “Kumbaro dhe Meçe më torturuan çnjerëzisht”
Laureta Rryçi
Tiranë - Ndërsa deri dje kishte folur vetëm në media, Ziso Kristopulli, një nga viktimat e SHIK-ut të atëhershëm, ka rrëfyer para kolegjit penal të Krimeve të Rënda torturat që i janë bërë. Në seancën e radhës, në procesin gjyqësor për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, procesi ka vijuar me katër dëshmi të thirrur nga Akuza. Ziso Kristopuli dhe tre vëllezërit e biznesmenit shqiptaro-maqedonas kanë sjellë detaje të rëndësishme mbi rolin që ka luajtur SHIK-u i atëhershëm në zhdukjen e mistershme të Remzi Hoxhës. Për zhdukjen e Hoxhës, Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Budjon Meçen.
Dëshmia
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm togat e zeza, prokurori i çështjes, familjarët e viktimës dhe avokatët e të pandehurve. Në sallë mungonin vetëm të pandehurit. Gjatë dëshmisë së tij, Ziso Kristopulli rindërtoi edhe njëherë në sallën e gjyqit momentin e rrëmbimit, transportimin e tij për në pikën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, torturat çnjerëzore të Budion Meçes dhe Ilir Kumbaros, faktin që kishte parë Remzi Hoxhën, si dhe firmosjen e një dokumenti nën kërcënimin e torturimeve sikur kishte qenë pjesë e planeve për vrasjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, trafikut të armëve me Serbinë dhe sabotimin e Kushtetutës. “Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark dhe më pas te gjunjët”, - ka dëshmuar dje Kristopulli, një prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995. Më tej dëshmia e tij ka vijuar për rreth dy orë e gjysmë duke risjellë me detaje atë çka i kishte ndodhur vite më parë. Sipas tij, ai është mbajtur peng nga agjentët e SHIK-ut për pesë ditë me radhë në Vain të Lezhës. Dëshmitari ka akuzuar direkt për dhunën dy të pandehurit, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro. Kristopulli u tha gjyqtarëve se e njihte Avdyl Loshajn, për shkak se ai kishte bërë pushime në lokalin e tij, kurse për Remzi Hoxhën u shpreh se kishte dëgjuar në dhomat ku ai torturohej dhe se i kishte dëgjuar të bërtiturat.
Mohimi
Ndërsa ka qenë i prerë me dy të akuzuarit Meçe dhe Kumbaro, Kristopulli ka mohuar njohjen me Arben Sefgjinin. Më tej, procesi gjyqësor ka vijuar me dëshmitë e tre vëllezërve të të zhdukurit Hoxha, të cilët kanë rrëfyer me detaje si morën vesh zhdukjen e vëllait të tyre, përpjekjet që bënë për gjetjen e tij, si dhe ku bazoheshin dyshimet e tyre. Në përfundim të dëshmive të tyre, seanca e radhës u shty për në javët e ardhshme.
Pranga shqiptarëve në Bari, iu sekuestruan 23 kg heroinë
BARI- Autoritetet Italiane në Bari kanë arrestuar 4 shqiptarë, të cilët bënin pjesë në një organizatë kriminale italo - shqiptare, të cilët trafikonin heroinë në Itali. Në të gdhirë të ditës së martë, policia, gjatë një operacioni blic, ka sekuestruar në Portin e Barit 23 kilogramë heroinë me vlerë 10 milionë euro. Droga u kap në 5 makina, ndërkohë që u sekuestruan edhe 7 mijë euro. Shqiptarët e arrestuar janë Arian Kertusha, Ervin Dema, Ermal Aliaj dhe Erion Ruka. Heroina e sekuestruar kishte mbërritur në Itali nëpërmjet një trageti nga Greqia. Arrestimet janë kryer pas hetimeve të koordinuara nga Antimafia në qytetin e Barit në Itali. Heroina ishte shpërndarë në 5 mjetet e tipit “Audi A3”, “Opel Corsa” etj.
Ekstradohet nga Italia i kërkuari për vrasjen e 11 viteve më parë
Tiranë – Ishte në kërkim për vrasje, ekstradohet nga Italia. Burimet të sigurta thanë për gazetën se dje, Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Roma të shtetasit shqiptar Adriatik Dosti, 36 vjeç, lindur në Kallm i Madh, Fier. Ekstradimi i tij është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin numër 321, datë 29.12.2005, ka dënuar Dostin me 15 vjet heqje lirie, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dosti akuzohet për ngjarjen e 26 marsit 1997 në fshatin Kallm të rrethit Fier, kur i dënuari në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, kanë vrarë në banesën e tij Namik Hazizin. Vrasja është kryer për motive gjakmarrje.
10 Shtator 2008