Vetëvaret 22–vjeçari, mister motivet e vdekjes tragjike
Tiranë – Një vetëvarje ka tronditur dje rrethinat e Kryeqytetit teksa një 22-vjeçar i ka dhënë fund në mënyrë tragjike jetës. Burime policore thanë për gazetën se dje rreth orës 07:45 në Fushë Mëzes është gjetur i vetëvarur në oborrin e banesës një shtetas. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje.
Nga të dhënat e grumbulluara nga grupi hetimor i ngritur me këtë rast u konkludua se viktima është Astrit Hasani 22 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Mëzes, Tiranë. Aktualisht grupi hetimor është në vend ngjarje, ku po kryhen veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Ndalohet i riu, ishte në kërkim policor për vjedhje
Tiranë – Ishte në kërkim për vepër penale të kryer pak ditë më parë, arrestohet nga policia. Burimet thanë për gazetën se specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim Julian (Joel) Ziu, 28 vjeç, banues në rrugën “Komuna e Parisit”, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Kapja e tij u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë të datës 4 shtator 2008, e ka dënuar me 2 vjet burg për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
Ishte dënuar me burg për “fyerje për shkak të detyrës”, arrestohet
Tiranë – Një 44–vjeçar nuk ka mundur t’u shmanget për më shumë se një vit uniformave blu, pasi ai dje është arrestuar ndërsa doli nga “strofka” e tij. Burime policore thanë për gazetën se dje uniformat blu kanë vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Oliver Agon, 44 vjeç, banues në Babrru, Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 9 nëntor 2007, e ka dënuar me 2 muaj burg për veprën penale të “Fyerjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 239 i Kodit Penal.
Konfliktohet në familje, kërcënon me armë bashkëshorten
Tiranë – Kërcënoi me armë gruan, policia e vë në pranga. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kryen ndalimin e shtetasit Sali Hurdha, 30 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Linzë, komuna Dajt. Ndalimi i tij u bë pasi në banesën e tij, ka kanosur me armë zjarri automatik, bashkëshorten e tij F. Hurdha 36 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri automatik. Materialet në ngarkim të shtetasit Sali Hurdha i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
10 Shtator 2008