Rikthehen zjarret, në rrezik Rafineria e Ballshit dhe banesat në Lezhë
Pas disa kohësh, rikthehen sërish vatrat e zjarrit në të gjithë vendin, ku gjatë ditës së djeshme janë rrezikuar Ndërmarrja e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh dhe një fshat në Lezhë. Burimet zyrtare raportojnë për vatra në Mallakastër, Lezhë dhe Kukës, ku janë regjistruar dëme të konsiderueshme. Ndërkohë, është ndaluar një i mitur, i cili akuzohet për zjarr-vënie të qëllimshme, veprim i cili ka pasur një faturë me 20 hektarë tokë të shkrumbuar. Burime të policisë së Qarkut Fier janë shprehur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ladvan dhe Panahor të Ballshi. Mësohet se 16-vjeçari i ka vënë zjarrin disa mbeturinave në kopshtin e tij, kur zjarri i ndihmuar nga era është shpërndarë edhe në tokat fqinje dhe ka djegur një sipërfaqe prej 20 ha tokë, ku 10 nga të cilat kanë qenë të mbjella me ullishte pronë e shtetasve F.S, Xh.F dhe E.F. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat blu, të cilat pas kanë vënë pranga adoleshentin. Flakët kanë kërcënuar edhe mjediset e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN). Në vendngjarje kanë shkuar disa dhjetëra forca policore dhe të Repartit për Mbrojtjen nga Zjarri, të përforcuara më vonë dhe nga rrethe të tjera të vendit. Vetëm në paraditen e djeshme është bërë e mundur shuarja e flakëve.
Një zjarr tjetër u regjistruar në rrethin e Lezhës, ku janë djegur 10 hektarë pyje, ndërsa janë rrezikuar banesat e fshatit Manati. Sipas policisë vendore zjarri ka rënë në kodrat e fshatit Manati, të komunës së Kolshit. Për pak orë janë regjistruar dy vatra, të cilat janë favorizuar edhe nga era.. Sipas Bardhok Kovaçit, punonjësi i Mbrojtjes së Pyjeve të komunës së Kolsh, zjarri i parë ra rreth orës 6. 30, në një distancë rreth 3 km nga rruga nacionale Lezhë – Milotit, në drejtim të fshatit Manati. Ai i është afruar shtëpive të banimit. Pas disa orësh janë shuar vatrat e zjarrit, të cilat patën një bilanc dhe 10 hektarë pyje të shkrumbuara. Policia po heton për zjarr-vënie të qëllimshme edhe në këtë rast. Një tjetër vatër zjarri ra në masivin pyjor të Mamëzit, në rrethin e Kukësit, e cila është shuar në orët e vona të mbrëmjes. Flakët u shfaqën në këtë zonë pothuajse para tre ditësh dhe kanë prekur një sipërfaqe prej rreth pesë hektarësh. Ende nuk është evidentuar sa është dëmi i saktë i sipërfaqes së djegur". Temperaturat mjaft të larta të këtyre ditëve kanë rindezur zjarret në masivet pyjore të Qarkut të Kukësit
I moshuari: “Përdhunimi i të miturës, skenar i ish-gruas”
FIER – I moshuari, i akuzuar për përdhunimin e një të miture, ka deklaruar se është i pafajshëm, dhe e gjitha ka qenë një skenar i përgatitur nga ish bashkëshortja e tij. Thoma Marini, i cili u akuzua se kishte ngacmuar seksualisht 13 vjeçaren A. Ferra ka dalë para togave të zeza të gjykatës së shkallës parë në Fier. Para se të zhvillohej seanca gjyqësore 75 vjeçari është shprehur se “unë nuk kam bërë gjë me fëmijën. Unë jam i moshuar dhe i sëmurë. Këtë kurth ma ngriti ish gruaja ime”. Sipas 75-vjeçarit shkak për këtë ndodhi është gruaja e tij, me të cilën ai është ndarë para 12 vjetësh, për arsye se i ka kërkuar lekë. Organi i akuzës ka paraqitur të gjithë dokumentacionin dhe ka kërkuar për të moshuarin burg pa afat. Ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar lënien e lirë të klientit të tij, pasi sipas tij vet mosha e tij është e tillë që nuk mund të besohet se ai ka kryer një vepër të tillë dhe kjo se kjo është një vepër e sajuar nga ish-bashkëshortja e 75-vjeçarit. Pas dëgjimit të dyja palëve trupi gjykues ka vendosur si të paligjshëm ndalimin e të moshuarit, por e ka lënë atë në gjendje arresti deri sa të zbardhet plotësisht ngjarja.
10 Shtator 2008