E Diel, 1 Nëntor 2026

E marte e zezë në rrugë, 5 viktima brenda disa orësh



Dita e djeshme ka shënuar një ndër bilancet më tragjike në rrugë, ku të paktën pesë persona kanë gjetur vdekjen dhe disa të tjerë janë plagosur. Madje ajo mund të konsiderohet si e “martja e zezë”. Një punonjës policie dhe një biznesmen gjetën vdekjen dhe dy efektiva të tjerë të policisë së burgjeve që udhëtonin me ta janë në gjendje të rëndë. Ndërsa një çift vdiq gjatë një aksidenti të ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në Lushnjë. Incidente të tjera të rënda ndodhen edhe në akset rrugore të Elbasanit dhe rretheve të tjera. Numri i djeshëm i bashkëngjitet shifrave të regjistruara në fundjavë dhe ditën e hënë, ku gjeti vdekjen 1 person dhe u plagosën mbi dhjetë persona të tjerë.
Vdesin dy policë
Tragjedia rrugore që ndodhi dje pasdite në Shkodër, i ka marrë jetën një efektivi të policisë, një sipërmarrësi, kurse një i tretë është në koma në spital dhe një i katërt, në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve të Ushtarakut në Tiranë. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës, konfirmuan se viktimat e aksidentit të ndodhur ditën e martë, rreth orës 15.00 në Pelzhë të Bushatit, janë shtetasit: Mark Thanxha, një biznesmen i njohur në zonë, dhe Pëllumb Stea, efektiv i policisë së burgjeve. Kurse Guxim Nikshiqi, gjithashtu, efektiv policie, si dy të tjerët, është në gjendje kritike gjithashtu në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Sakaq, Përparim Duci, një tjetër i plagosur, është në spitalin e Shkodrës. Aksidenti i rëndë ndodhi pranë Pelzhës së Bushatit, në atë që shkodranët e njohin si “autostrada e vdekjes”, Shkodër-Lezhë”. Makina tip “benz” me targa SH 3043 E, drejtuar nga Mark Thanxha, ku ndodheshin tre efektivët e policisë, u përplas me një veturë tip “Honda”, me targa gjermane.
Shuhet një çift
Një çift bashkëshortësh nga Lushnja humbën jetën mëngjesin e djeshëm, ndërsa një e afërmja e tyre mbeti e plagosur gjatë një aksidenti automobilistik. Mjeti me të cilin udhëtonte familja Biçaku u përplas me një shtyllë, në segmentin rrugor Lushnjë-Fier. Për pasojë, humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Arjan dhe Blerina Biçaku, përkatësisht 27 dhe 25 vjeç, ndërsa e afërmja e tyre, Rajmonda Biçaku, mbeti e plagosur. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se" aksidenti ndodhi si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtuesit të mjetit Arjan Bicaku, i cili u përplas fillimisht me një bordurë betoni dhe më pas me një shtyllë. Mësohet se 19 vjeçarja Biçaku ndodhet në spitalin e qytetit të Lushnjës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të tjerat
Listës së zezë të viktimave iu bashkua edhe një djalë 14 vjeçar nga fshati Hajmel i komunës me të njëjtin emër në Shkodër. Viktima është Ardi Sukaj. Ai gjeti vdekjen në aksident, teksa po punonte në arën e familjes së tij dhe është përplasur nga një mjet bujqësor tip zetor. “Si pasojë e dëmtimeve të mëdha, Ardi Sukaj ka humbur jetën teksa po e dërgonin në spitalin rajonal të Shkodrës”, deklaruan burime të policisë lokale.
Aksidenti i ndodhur nga pakujdesia në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Hajmel rëndon edhe më shumë fatkeqësinë e familjes Sukaj. Ndërsa në Elbasan, një 16-vjeçar përplasi mbrëmjen e së hënës një të moshuar. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se " A.B., teksa udhëtonte me çiklomotor të tipit " Skuter", pa targa, ka goditur një 68 vjeçare, i cili ishte duke ecur në këmbë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit". Sipas policisë, 68 vjeçarja ndodhet në gjende të rëndë shëndetësore në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Mësohet se 16 vjeçari do të hetohet në gjendje të lirë për veprat penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", si dhe "largim nga vendi i aksidentit" për shkak të moshës. Ditën e diel dhe të hënën u regjistrua një tjetër shifër alarmante me të vdekur dhe të plagosur në akset rrugore të vendit tonë. Ndonëse janë paralajmëruar masa nga Policia e Shtetit, sërish nuk po ulet numri i viktimave në rrugët e vendit tonë, të shkaktuara nga aksidentet automobilistike.

TË AKSIDENTUARIT

Emri Mosha Ngjarja Rrethi
Ardi Sukaj, 14 vjeç i vdekur Shkodër
Arjan Biçaku 27 vjeç i vdekur Lushnjë
Blerina Biçaku 25 vjeç e vdekur Lushnjë
Rajmonda Biçaku 19 vjeçe e plagosur Lushnjë
Pellumb Skea 30-vjeç i vdekur Shkodër
Mark Thanxha 41-vjeç i vdekur Shkodër
Përparim Buçi X i plagosur Shkodër
Guxim Nikshiqi X i plagosur Shkodër

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›