E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, në tetë muaj, 146 urdhra mbrojtjeje për të dëmtuarat nga dhuna në familje



TIRANË - 146 urdhra mbrojtjeje për viktimat e dhunës në familje, që në të shumtën e rasteve janë femra të keqtrajtuara nga bashkëshortët e tyre si dhe fëmijë, janë përgatitur nga strukturat e Policisë së Shtetit për gjashtëmujorin e parë të 2008-s në shkallë vendi. Nga të dhënat e Policisë rezulton se qendrat më problematike, përsa i përket përhapjes së dhunës në familje, janë zonat periferike të qendrave të mëdha urbane si Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra. Për parandalimin e kësaj dhune, me pasoja në jetën e njerëzve, që bien preh e saj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përmes një urdhërese dërguar të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, ka kërkuar trajtimin me përparësi të rasteve të dhunës, duke marrë masa ndaj abuzuesve. Rëndësi i është kushtuar nga Policia edhe trajnimit të personelit të strukturave që shqyrtojnë këto çështje, ku përfshihen edhe punonjës social apo psikolog. Në funksion të masave për minimizimin e këtyre rasteve në shërbim të komunitetit janë vendosur numra pa pagesë, ndërsa të dëmtuarave u ofrohet konsulencë ligjore për përgatitjen e kallëzimeve. Sipas specialistëve, kërkesë paditë e viktimave të kësaj dhune merren në shqyrtim nga seksionet e posaçme të ngritura në drejtoritë e policisë në qarqe dhe më pas depozitohen në gjykata, ku brenda 48 orëve merret vendimi përkatës. Në ligjin “Për parandalimin e dhunës në familje” parashikohen masa mbrojtjeje për viktimat si, urdhërohet dhunuesi të ndalojë së kryeri ose kërcënuari për një akt dhune në familje, të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë me viktimën; largohet dhunuesin nga banesa për një afat kohor të caktuar; ndalohet t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo çdo vendi tjetër të frekuentuar nga viktima. Gjithashtu ligji parashikon masa mbrojtëse si urdhëron dhunuesin që të lejojë viktimën të zotërojë banesën në përdorim të përbashkët ose pjesë të saja, të paguajë qiranë për banesën e viktimës etj. Në rast të shkeljes së vendimit të gjykatës, dhunuesi arrestohet nga shërbimet e Policisë, të cilat kanë informacione të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të gjykatës përmes interesimit dhe kontakteve të vazhdueshme me viktimat e dhunës brenda familjes, vënë në dukje ekspertët e Policisë. Ndërkohë, procesi për garantimin e të drejtave të të dëmtuarve ndiqet në bashkëpunim të ngushtë me organin e Prokurorisë dhe Gjykatat, ku operojnë struktura të posaçme për shqyrtimin e këtyre rasteve, duke rritur kështu besimin e publikut ndaj punës së strukturave shtetërore në këtë drejtim.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›