E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen dhjetëra ton mall i skaduar

30/07/2010 Në Korçë dhe Shkodër. Problem shitja në zonat turistike dhe sëmundja e patates

Stina e verës ka sjellë rritjen e problemeve me ushqimin, jo vetëm në qytete, por dhe në zonat turistike. Të dhënat më të fundit vijnë nga Shkodra dhe Korça ku bëhet e ditur se janë asgjësuar disa ton ushqime të skaduara. Ndërsa nën kontroll janë vënë dhe furrat e bukës për shkak dhe të rreziqeve që sjellin ato.

Mallrat e skaduara

Gjetja e këtyre mallrave u arrit në sajë të kontrolleve të vazhdueshme në të gjitha pikat e tregtimit, por sidomos në zonat turistike, kryesisht në plazhe, ku rreziku është akoma më i madh për shkak jo vetëm të temperaturave, por edhe fluksit të madh të pushuesve dhe konsumimit më të madh të të gjitha llojeve të produkteve ushqimore. Në sajë të kësaj pune kontrolluese inspektorët e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit të mbështetur dhe nga struktura të tjera policore kanë arritur të sekuestrojnë dhe të asgjësojnë për muajin gusht rreth 1,2 ton mallra ushqimore të skaduara, si dhe një sasi të konsiderueshme uji të pijshëm të ambalazhuar që i kishte përfunduar afati i përdorimit. Këto mallra u gjetën pranë pikave të tregtimit kryesisht me shumicë. Sipas drejtuesve të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së konsumatorit deri tani është arritur që të mënjanohen të gjitha problemet për konsumatorët. Statistikat e Drejtorisë së Bujqësisë flasim për produkte të asgjësuara kryesisht të prodhimeve me prejardhje shtazore, ku dhe është përqendruar më tepër dhe puna kontrolluese. Ndër këto prodhime të skaduara dhe të asgjësuara bënin pjesë kryesisht djathëra të llojeve të ndryshme, qumësht dhe konserva të mishit e peshkut. Ndërkohë në disa subjekte të prodhimeve me prejardhje shtazore është kërkuar ndërprerja e prodhimin deri në krijimin e kushteve të duhura higjieno-sanitare. Krahas masave të kontrollimit të pikave të tregtimit dhe asgjësimit të mallrave të skaduara ushqimorë, Drejtoria e Bujqësisë dhe e Ushqimit Shkodër, vazhdimisht i ka bërë thirrje publike konsumatorit që të kenë kujdes jo vetëm gjatë konsumimit, por që në blerje të produkteve ushqimore. Vetëm në këtë mënyrë, pra kontrollet e inspektorëve të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Kujdesit të Vetë Konsumatorit në blerje sjell garantimin për mënjanimin e çdo rreziku nga ushqimet e skaduara apo të kontaminuara. Po e njëjta situatë duket dhe në Korçë. Stina e nxehtë e verës ka intensifikuar edhe më tej punën e inspektorëve të Inspektoratit të Sigurisë Ushqimore në Qarkun e Korçës, veçanërisht për sa u përket kontrolleve mbi subjektet e përpunimit të qumështit, prodhimit të bukës, të brumërave dhe të ëmbëlsirave, me synimin për të parandaluar sëmundjet që janë karakteristikë të kësaj periudhe. Për këtë arsye vëmendja e këtij inspektorati është përqendruar edhe te kontrollet mbi sëmundjen e patates që shfaqet tek buka, që sipas specialistëve kjo sëmundje shkaktohet jo vetëm nga temperaturat e larta, por edhe nga përdorimi i miellrave me ngarkesë bakteriale më të lartë nga sa lejohet nga organet e shëndetësisë, çka do të thotë që buka duhet të ruhet në kushte normale të temperaturës dhe të ajrosjes. Gjatë 6-mujorit të parë, në sajë të kontrolleve të ushtruara, u kapën 9.737 kg mallra të skaduara. Aktualisht, theksuan burimet kanë përfunduar kontrollet mbi subjektet e përpunimit të qumështit, në të cilat nuk u konstatuan probleme për shëndetin e konsumatorit, ndërsa tashmë kontrollet do të vijojnë edhe në furrat e bukës dhe pastiçeritë.

Sëmundja e patates

Megjithatë, me qëllim parandalimin e sëmundjes së patates që shfaqet te buka, (ku një vit më parë u konstatuan dy raste) kemi dhënë udhëzimet përkatëse për këto subjekte, bënë të ditura burimet, ku ndërkohë u janë shpërndarë edhe fletë-palosje. Gjithsesi për ata që nuk kanë njohur mbi sëmundjen e patates, në raste të tilla buka duket e rregullt në pamje të parë, pasi korja e saj të jep përshtypjen e një prodhimi normal, por në të vërtetë, buka e infektuar është e qullët në brendësi. Nëse tulin e saj e kapim me duar, ajo ngjitet pas gishtërinjve. Një bukë e infektuar nga sëmundja e patates dallohet edhe nga ngjyra e saj, pasi një bukë e tillë ka ngjyrë të verdhë në kafe dhe veç kësaj ka aromën e pjeprit. Gjithsesi deri më tani, inspektorët e Inspektoratit Ushqimor sigurojnë për një treg ushqimor të pastër dhe pa probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›