E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen rastet e denoncuara të dhunës së familje

30/07/2010 Ngrihet Qendra e parë Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës

Në 6-mujorin e parë të vitit janë denoncuar në polici mbi 800 raste

Shtohen rastet e denoncuara kundrejt dhunës së ushtruar në familje. Sipas raportimeve të bëra nga specialistët e Ministrisë së Punës, rezulton se në 6-mujorin e parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, vërehet se ka rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara po nga strukturat e policisë. Ndërkohë që vëzhgimet e bëra gjithashtu tregojnë se në ndryshim me vitet shkuara, ku rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin rrethit të Tiranës, rritja e sensibilitetit dhe ndërgjegjësimit ka sjellë edhe shtrirjen gjeografike të denoncimeve në të gjitha rajonet e vendit. Konfirmimi i këtyre treguesve është bërë gjatë ditës së djeshme nga drejtoresha e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen pranë Ministrisë së Punës, Alma Marku, e cila ka zyrtarizuar edhe ngritjen e të parës Qendër Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje. Kjo rezulton të jetë dhe nisma e parë shtetërore për nga lloji i shërbimeve që do t’i ofrohet kësaj kategorie, pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave, trajnimin e tyre ndaj fenomenit të dhunës në familje dhe ofrimit të asistencës për viktimat. Qendra është parashikuar të ofrojë për viktimat në marrëdhëniet familjare shërbime këshillimi, psikosociale, programe rehabilitimi, asistencë mjekësore e juridike, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, si dhe do të shërbejë si qendër kombëtare e trajnimit të specializuar për punonjësit që veprojnë në këtë fushë. Megjithatë, kjo nuk do të jetë qendra e vetme që do të ofrojë këtë llojshmëri shërbimesh për këtë shtresë, pasi janë udhëzuar të gjitha njësitë vendore në ngritjen e qendrave të ngjashme në zonat e tyre të mbulimit. “Qendra Kombëtare, por jo e fundit e cila do të ofrojë shërbime për viktimat, dhe presim që njësitë e qeverisjes vendore, të sensibilizuara rreth nivelit të shtrirjes së këtij fenomeni dhe në zbatim të detyrimit ligjor, të fillojnë punën për ngritjen e qendrave rajonale apo lokale. Po ashtu, ministria gjatë kësaj periudhe ka vazhduar punën për forcimin e mekanizmave institucionalë për menaxhimin e këtij fenomeni, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dukurisë së dhunës dhe domosdoshmërinë e denoncimit të saj. Nga analizat periodike rezulton se shtimi i rasteve të denoncuara vjen si rezultat i këtij sensibilizimi, si dhe i garantimit nga strukturat e policisë të masave mbrojtëse të ligjit”, ka pohuar Marku.

Situata

Në 6-mujorin e parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm vërehet se ka rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara po nga strukturat e policisë. Ndërkohë që vëzhgimet e bëra gjithashtu tregojnë se në ndryshim me vitet shkuara, ku rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin rrethit të Tiranës, rritja e sensibilitetit dhe ndërgjegjësimit ka sjellë edhe shtrirjen gjeografike të denoncimeve në të gjitha rajonet e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›