Katër mënyrat e diagnostikimit të tuberkulozit
Simptomat dhe të më rrezikuarit prej tij. Dje, Dita Botërore e Tuberkulozit, shifrat në vendin tonë dhe në Europë
Tuberkulozi (TB) është një sëmundje ngjitëse dhe përhapet nëpërmjet ajrit. Nëse nuk mjekohet, çdo person me TB aktiv do të infektojë mesatarisht 10-15 persona në vit. Një në 10 persona të infektuar me bacilin e TB-së do të sëmuret me TB aktiv gjatë jetës së tij. Njerëzit me HIV janë në rrezik më të madh. TB është sëmundje e varfërisë, duke prekur më shumë moshat e reja në vitet e tyre më produktive. Nëse TB nuk mjekohet siç duhet, mund të zhvillohet TB rezistent dhe shumë rezistent ndaj medikamenteve. Kjo mund të ndodhë edhe kur kombinimi i nevojshëm i medikamenteve, dozave të tyre dhe kohëzgjatjes së mjekimit nuk janë zgjedhur dhe aplikuar siç duhet. Mjekimi i TB-së rezistente dhe shumë rezistente ndaj medikamenteve (MDR dhe XDR-TB) mund të jetë deri 100 herë më i shtrenjtë se trajtimi i rregullt.
Medikamentet
Mjekimi i TB-së rezistente kërkon medikamente më të shtrenjta, mund të zgjasë deri në dy vjet dhe mbart rrezikun e më shumë efekteve anësore. Përveç kësaj, shtamat e bakterit të TB-së që kanë rritur rezistencën ndaj medikamenteve me kosto më efektive, mund të jenë jashtëzakonisht të vështirë për t’u trajtuar. Tuberkulozi (TB) është një sëmundje infektive që prek veçanërisht mushkëritë, por edhe organe të tjera si kockat dhe artikulacionet, nyjet limfatike, trurin dhe palcën kurrizore, syrin, lëkurën etj. Por, sipas mjekëve, nëse kjo sëmundje kurohet rregullisht, ajo është plotësisht e shërueshme. Sëmundja transmetohet kryesisht me anë të ajrit kur i sëmuri me TB kollitet, teshtihet ose gjatë frymëmarrjes. Gjithashtu, sëmundja përhapet dhe me rrugë digjestive si për shembull, nga përdorimi i qumështit të lopës së sëmurë me tuberkuloz.
Mjekimi i sëmundjes
Mjekimi i mirë i të sëmurit me TB është mbrojtja më e mirë nga TB-ja. Në qoftë se i sëmuri ka shenjat e përmendura më poshtë duhet të vizitohet menjëherë te mjeku. Nëse ka njeri të sëmurë në familje apo në vendin e punës me TB, duhet të konsultoheni menjëherë me mjekun. Fëmijët deri në 10 vjeç, që janë në kontakt me të sëmurë me TB, duhet të kontrollohen në Dispanserinë e sëmundjeve të mushkërive. Mjekimi i kësaj sëmundjeje duhet të bëhet nën kujdesin e mjekut pneumolog. Ky mjekim zgjat të paktën gjashtë muaj. Nëse mjekimi ndërpritet para gjashtë muajsh, sëmundja e TB-së mund të bëhet kronike, ose dhe e pashërueshme. Sipas mjekëve, TB është sëmundje e shërueshme dhe nuk lë asnjë pasojë nëse mjekohet mirë.
Të rrezikuarit më shumë nga TB-ja
Personat që banojnë dhe kanë kontakt të afërt me të sëmurë me TB
Fëmijët që kanë kontakt me të sëmurët me TB
Personat që vuajnë nga sëmundje si diabet, ulcerë stomaku dhe disa sëmundje të tjera kronike, të cilat ulin rezistencën e organizmit të njeriut ndaj mikrobit të TB-së
Alkoolistët dhe duhanpirësit
Kushdo mund të sëmuret nga TB-ja, sepse mikrobi merret kryesisht nëpërmjet ajrit
TB nuk është sëmundje e trashëgueshme
Shenjat e tuberkulozit
Kolla, veçanërisht kolla që zgjat më shumë se tre javë
Temperaturë, zakonisht jo e lartë 37-38 gradë
Djersitje, veçanërisht natën
Humbje oreksi
Dhimbje gjoksi
Rënie në peshë
Në raste më të avancuara të sëmundjes kolla është me gëlbazë me rrema gjaku
Diagnostikimi i tuberkulozit
Mundësitë për t’u kontrolluar dhe vërtetuar nëse jeni të infektuar dhe sëmurë nga bakteret e tuberkulozit
Testi i tuberkulinit
Testi i tuberkulinit është një test i lëkurës, i cili vendoset në pjesën e poshtme të krahut. Nëse personi në fjalë është i infektuar nga bakteret e tuberkulozit, atëherë pas 4–7 ditësh fillon që të formohet një e ënjtur që vërehet me të prekur me dorë. Testi është pozitiv.
Fotografimi i mushkërive me rëntgen
Nëse testi i tuberkulinit është pozitiv apo nëse ekziston dyshimi në sëmurjen e tuberkulozit, atëherë bëhet fotografimi i mushkërive me rëntgen. Nëse në fotografinë e rëntgenit gjenden shenja të sëmurjes, mjeku ende nuk është i sigurt se a jeni i sëmurë nga tuberkulozi. Diagnoza e tuberkulozit vërtetohet vetëm me dëshmimin/gjetjen e shkaktarit.
Dëshmimi/gjetja i shkaktarit
Në princip gjetja e shkaktarit bëhet në hedhjen e sekrecionit/pështymës së pacientit. Nëse gjenden baktere të tuberkulozit në pështymë në masë, atëherë është e mundur që me një metodë shumë të thjeshtë të ngjyrosjes së tyre të shihen në mikroskop. Nëse pacienti hedh vetëm pak baterie jashtë, atëherë mundë të vërehen përmes vendosjes së një «kulture» në të cilën bakteret shumohen. Gjatë kësaj metode zgjatë 6–10 javë derisa të arrihet rezultati.
Pasqyrimi i mushkërive
Në raste të veçanta mund të jetë i nevojshëm pasqyrimi i mushkërive për të përcaktuar diagnozën përfundimtare.
25 Mars 2008