E Diel, 1 Nëntor 2026

Lakmitarët…

Gëzim TUSHI

Koha moderne edhe në shoqërinë tonë po shfaqet si kohë e pabarazive, dëshirave, nevojave dhe lakmive të mëdha. Konsumi me tepri, lakmia për të patur më shumë se sa të duhet është një nga dukuritë sociale që ndeshet përditë në realitetin tonë. Megjithëse me vonesë për arsye të rrugës historike, tani mund të themi pa frikë se edhe shoqëria shqiptare, ka marrë prirjen e pakthyeshme të “shoqërisë së konsumit”, në të cilën jeton njeriu si “konsumator gjenerik”, që synon në mënyrë të pandërprerë që të plotësojë dhe tejkalojë dëshirat e tij të shumëllojshme. Jetojmë në një shoqëri që e ka kthyer konsumin, synim të pare të jetës, qëllim në vetvete,. Nuk është e lehtë të dallosh në këtë dalldi materialiste, atë që është e nevojshme, e domosdoshme, nga ajo që është e tepërt. Është në natyrën e njeriut modern të jetë individualisht ambicioz për, të plotësuar kërkesat, dëshirat subjektive me të gjithë gjërat që janë të dëshirueshme prej tij. Në këtë relacion midis të nevojshmes dhe të dëshirueshmes, ka një lidhje të ngushtë me natyrë biologjike, sociale, ideologjike dhe shpirtërore. Erik Fromi me të drejtë, duke analizuar raportin e këtyre dy ndjenjave njerëzore ka thënë se “e dëshirueshme është ajo që është e nevojshme”.
Por në shoqërinë shqiptare po ravijëzohet gjithnjë e më shumë një grup njerëzish, që i kanë synimet materiale personale me një spektër të gjerë, që variojnë nga e mundshmja, deri tek e lakmueshmja. Realiteti ynë social e ka marrë tashmë formën e plotë të një shoqërie në të cilën njeriu konsumon jo vetëm për të plotësuar nevojat e domosdoshme materiale, që janë kusht ekzistencial për të mbijetuar, por më së shumti shfaqen tendenca të dukshme të ambicies vetjake për pasuri, qejf dhe pushtet. Psikologët dhe sociologët e “shoqërisë së konsumit” kanë mundur të nxjerrin konkluzionin se në shoqërinë moderne, në kushtet e ekonomisë së tregut dhe të kompeticionit, pjesa më e madhe e njerëzve bëhen lakmitarë, që të kenë më shumë pushtet, ushqim, luks, pije, seks, famë personale. Njerëzit lakmitarë po shtohen përditë. Ne ndeshemi me njerëz, që sa më shumë kanë aq më tepër dëshirojnë të kenë. Lakmia është një ndjenjë që e lë njeriun gjithnjë në situatën e të pangopurit, megjithëse materialisht mund të ketë më shumë se sa i duhen në mënyrë natyrale. Këtë dukuri komplekse, tiparet esenciale të lakmisë si ndjenjë njerëzore i ka analizuar me mprehtësi të admirueshme Fromi. Sipas këtij mendimtari të shquar, “lakmia është një prej pasioneve të forta të njeriut, një simptomë e çrregullimit psikik, e zbrazësisë së brendshme…është shfaqje patologjike e paaftësisë për t’u zhvilluar plotësisht…”
Në se do të shikoni sot se si hanë, pinë dhe vishen njerëzit, do të kuptoni se shumë prej këtyre veprimeve janë përtej kufirit të të nevojshmes, të duhurës dhe të domosdoshmes. Lakmia për të ngrënë, pirë, për seks, për të blerë rroba dhe veshje pa fund, thjesht si qëllim në vetvete është bërë fenomen tipik, sindromë për shoqërinë tonë sot. Një pjesë e kësaj ndjenje siç është lakmia për të konsumuar, është e lidhur me vanitetin dhe gjendjen depresive që kalojnë njerëzit në kushtet kur jetojnë në kushte materiale të së “tepërtës”, të asaj që e kanë dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë me të. Lakmitarët e shoqërisë moderne janë në gjendje të përhershme ankthi, depresioni për të patur gjithnjë sa më shumë për të konsumuar, apo që dëshirojnë të konsumojnë vazhdimisht si qëllim në vetvete. Lakmia është bërë për shumë njerëz një pasion i përditësuar që i shtyn energjitë personale drejt konsumit të pandërprerë, drejt konsumit si qëllim në vetvete.
Normalisht që në këtë luftë për të plotësuar pambarimisht ndjenjën e lakmisë ka edhe pengesa e vështirësi të natyrave të ndryshme, ligjore, sociale, humane që duhen kapërcyer. Kur dalin pengesat e natyrshme, lakmitarët përpiqen t’i kalojnë në rrugë të kundërnatyrshme, me metoda asociale. Shpesh ne jemi dëshmitarë në jetën tonë se shumë njerëz që janë të obseduar nga lakmia, në përpjekje për t’i përmbushur ato me çdo kusht, ata bëhen agresivë, duke shkelur mbi veten dhe aq më shumë mbi interesat e të tjerëve që pengojnë plotësimin e lakmisë së tij. Në këtë rast “lakmia” bëhet ndjenjë komplementare me “agresionin”, dinakërinë, vjedhjen. Në shoqërinë tonë janë shtuar veprimet kriminale, vrasjet dhe vetëvrasjet që janë të lidhura me pamundësinë e plotësimit sistematik të kësaj ndjenje të lakmisë. Pasuria e tepërt, e vënë në rrugë jo normale “ha kokën e të zot” ka thënë populli ynë. Në këtë kontekst, po duken hapur disa sinjale negative të shoqërisë tone, që kanë të bëjnë me natyrën lakmitare të disa njerëzve që dëshirojnë të plotësojnë dëshira materiale dhe seksuale pa limit. Të gjithë jemi përballë presionit që kemi në familje për makina dhe veshje luksoze, për plotësim dëshirash dhe qejfesh, mbi mundësitë materiale dhe realitetin tonë. Procesi i rritjes së kërkesave materiale për më shumë pasuri, pronë, mekanizim, luks dhe jetë qejfi, për më shumë liri seksuale, iniciativë të veprimit të lirë, ka sjellë probleme sociale, nga që shumë individë në përpjekjet abuzive për të zgjeruar lirinë personale, tentojnë të kalojnë kufirin social të së lejueshmes.
Fjala vjen ka një përhapje të dëshirave seksuale, deri në limite të konvencionalizuara të “anarkisë seksuale”, duke tentuar për të afruar kufirin e “lirisë seksuale” me krimin, vrasjen, përdhunimet që ndeshen shpesh në shoqërinë tonë. Sipas mendimit tim, shoqëria jonë është në një moment, të cilën filozofikisht Martin Heideger e konsideronte si kontradiktë midis “lirisë dhe tekës njerëzore”.
Natyrisht lakmia e tepërt është përgjithësisht “droga” e njerëzve të pasur, të cilët kanë “simptomat” e të droguarit të vërtetë, që sa më shumë drogë konsumojnë, aq më tepër dëshirojnë. Kjo lidhje patologjike e njeriut lakmitar me konsumin, jo si nevojë por më shumë si dëshirë, si hob është kaq e forte, sa që mund të themi se kjo ndjenjë është bërë skllavëruese për ata që kanë rënë në grackën e saj.
Natyrisht njeriu nga natyra është ambicioz dhe egocentrist. Kjo nuk ka gjë të keqe. Ato janë stimuj pozitivë që e vënë njeriun dhe energjitë e tij në provë sociale, e cila midis të tjerave është e matur edhe me suksesin material, apo mundësitë për të bërë më shumë qejf, në kuptimin social dhe personal. Shoqëria jonë është e ndërtuar mbi dy parime të mëdha siç është “liria” dhe “ekonomia e tregut” në të cilat njeriu që nuk është ambicioz, egocentrist, guximtar, nuk ka shans të ketë sukses material apo dhe të çfarëdo lloji tjetër. Natyrisht, ndryshimi i nivelit social të jetës, i kulturës dhe shumëfishimi i dëshirave tek njeriu i sotëm janë shtuar në raport me konceptin e vjetër të shoqërisë sonë, që ka patur një koncept tradicional për mirëqenien, si mjet të thjeshtë për mbijetesë. Koncepti i evolucionit të mirëqenies, rritja progresive e kërkesave, dëshirave materiale, kulturore e shpirtërore të natyrshme, është gjë tjetër dhe lakmia, superdëshira për të patur shumë herë më shume se të duhet, apo e konsumit të tejskajshëm, si qëllim në vetvete, është gjë krejt tjetër. E para është normale dhe e natyrshme, ndërsa lakmia në kuptimin që e trajtuam në këtë shkrim, është diçka e kundërnatyrshme, është në një farë kuptimi “sëmundje sociale”, që ka prekur shtresën e pasur të shoqërisë sonë. Lakmia thonë sociologët e shoqërisë moderne nuk është pasion njerëzor që të kushtëzohet nga karakteri. Ne, këtë kontekst edhe të pasurit kanë nevojë të “shërohen” nga sindroma e lakmisë së tepër. Ata kanë të drejtë të dëshirojnë dhe të plotësojnë më mirë se të tjerët nevojat e tyre, por me siguri që do të ishte mirë për ta dhe shoqërinë, në se lakmitë e tyre si dëshira eksentrike i disiplinojnë në kufijtë e arsyeshëm të shoqërisë, në të cilën siç thotë filozofi modern amerikan, Herbert Markyze, duhet të përputhet të “Principi i Qejfit” me “Principin e Realitetit”.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›