E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosto e një tragjedie

Fatos Çoçoli

Sigurisht kostot më rrëqethëse të një tragjedie e katastrofe kombëtare si ajo e Gërdecit janë humbjet e dhjetëra jetëve të pafajshme të banorëve të fshatit Gërdec. Pastaj vijnë qindra shtëpi të shkatërruara dhe mijëra të dëmtuara. Pastaj jeta e devijuar dhe e përçudnuar e 3-4 mijë banorëve të atij fshati dhe fshatrave përreth. Por menjëherë pas tyre dhe pas vuajtjeve tashmë pa fund të një popullsie në mërgim të detyruar që ka humbur gati gjithçka, vijnë edhe humbjet e të gjithë neve.
Çfarë kemi humbur me shpërthimin si prej bombe atomike në Gërdec? Së pari, jo vetëm qetësinë. Kemi humbur ndoshta përfundimisht për këtë vit një shans që të nxirrnim mbi 1.4 miliardë euro nga turistët e huaj që do të vinin në vendin tonë. Qeveria po bëhej gati të jepte reklamën tek CNN për Shqipërinë turistike. Turizmi nuk është dhe nuk ka si të jetë vetëm një kënaqësi apo sport tek ne.
Duke qenë një vend i varfër, me turizmin mund të bënim shumë punë. Greqia ishte gati një vend i varfër dhe e pazhvilluar si ne në vitet 50-të të shekullit të kaluar. Turizmi e bëri të arrinte nivelet e zhvillimit të vendeve të përparuara të BE-së. Shpresonim shumë që kjo gradualisht të niste të ndodhte dhe me ne. Por duhet të presim ditë më të mira.
Gërdeci me shpërthimin e mijëra tonëve barut ra si një mynxyrë epokale mbi ne, në këtë këndvështrim. Pastaj reston e bënë mediat e huaja, duke treguar deri në detaje se kemi mbi 100 mijë ton barut(ose mbi 34 kg për çdo shqiptar), të mjaftueshëm për të hedhur në erë të gjithë vendin, bashke me turistët. Kësaj i thonë një 97-e e dytë. Imazhin e 14 vjeçarëve me kallashnikovë ndër duar njëmbëdhjetë vjet më parë tani po e zëvendëson bomba kërpudhë e Gërdecit, si dhe informacioni ogurzi i 100 mijë ton municion.
E kush do të vijë pas kësaj tek ne? Janë të gjitha arsyet që të vijnë, por imazhi i një vendi problematik, i thurur për afro dy dekada për ne në Evrope, tani mori një ndriçim të ri: predhat e kohës së Dullës. Ky imazh nuk duhet lënë të rrënojë gjasat tona për zhvillim.
Qeveria(nuk ka rëndësi kjo e sotmja, apo një tjetër që mund të vijë shpejt pas Bukureshtit dhe ftesës-sa shpresojmë, o Zot, të na vijë!- për në NATO) duhet të japë realisht maksimumin e saj që përgatitjet për sezonin e ri turistik të bëhen si duhet. Të zhduken ato dhjetëra e qindra vatra plehrash buzë rrugëve kombëtare në bregdet dhe në pikat tona turistike. Pse edhe ato veprojnë si bomba në sytë e turistit të huaj. Ai patjetër( megjithë njoftimin për tragjedinë) që do të vijë këtë vit. Lypset të shërbehet si duhet.
Të 24 kryetarët e komunave dhe qyteteve të bregdetit tonë duhet të ngrenë një sistem të qëndrueshëm pastrimi, sidomos të plazheve publike dhe të ambienteve në rrugët kombëtare që u takojnë atyre. Pastrimi nuk ka pse të bëhet vetëm një apo dy herë sa për syrin e kamerave televizive. Do njerëz, mjete dhe fonde.
Kryebashkiakët dhe kryekomunarët e bregdetit lypset të fillojnë të mendojnë që tani. Në mes të sezonit do të kenë në dorë të bëjnë pak, fare pak. Dhe për më tepër, do ta bëjnë keq, sa për sy e faqe. Nga ana tjetër, nëse qeveria ka shpenzuar afro 600 mijë euro për reklamën në CNN, ia vlen të japë tre herë më shumë fonde të saj për të ndihmuar bashkitë e komunat të pastrojnë gjatë periudhës qershor-shtator 2008.
Së dyti, investimet e huaja. Shpërthimi i Gërdecit dha një sinjal të fortë pasigurie dhe ndoshta me dhjetëra investitorë seriozë e të rëndësishëm që synonin Shqipërinë ndjehen të trembur. Sërish qeveria duhet të marrë nismën dhe t’i kontaktojë. Të tregohet shumë më bashkëpunuese dhe e shërbimit se sa më parë.
“Shqipëria një euro” nuk është se ia ndriti dhe aq. “Shqipëria pa bomba” duhet të rrezatojë furishëm dhe për këtë ia vlen të nxitet çdo ide apo nismë e shoqërisë civile. Si të natyrës: të kufizohen në harta dhe me tabela të mëdha vendet ku ka përqendrime municioni. E gjithë bota (jo vetëm shqiptarët) ta shohin se të kërcënuara nuk janë të 28 mijë kilometrat katrorë të tyre, por vetëm disa syresh. Dhe kush sheh me sytë e vet “zonat e kuqe” të rrezikut dhe se sa pak janë ato, mund të bindet dhe të kandiset të vijë. Si turisti, ashtu dhe investitori i huaj.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›