E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telemaratona humanitare prej gjashtë orësh në “Njerëz të humbur”

Dita e shtunë për “Njerëz të humbur” në Vizion Plus është shndërruar për gjashtë orë me radhë, deri në orën 03:10 të mëngjesit të ditës së diel nga një puntatë e zakonshme në një telemaratonë humanitare për familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit. Të ftuar në këtë natë të veçantë kanë qenë artistë, gazetarë, aktorë, këngëtarë dhe psikologë, të cilët i kanë rrëfyer Aida Shtinos dhe teleshikuesve të Vizion Plusit përjetimin e tyre kur kishte ndodhur tragjedia. Edi Luarasi, Tefta Radi, West Side Family, Soni Malaj, Reshat Arbana, Valbona Mema, Mirush Kabashi, Nora Malaj, Mira Bregu, Besa Kokëdhima, Produkt 28, Valbona Peraj, Luftar Paja, Anduena Llabani, Arjana Liço, Ardi Bita, Greta Koçi, Irma Libohova, kanë mbushur studion e “Njerëz të humbur” për të përcjellë te publiku një mesazh sensibilizimi, i cili në këto ditë të tragjedisë ka një vlerë të jashtëzakonshme për ata që realisht kanë në dorë për të bërë diçka. Kjo ishte dhe busulla e ndërtimit të telemaratonës më të madhe humanitare të “Njerëz të humbur”, një pjesë e ajkës së kombit, e cila dha shembullin e bashkimit dhe të solidaritetit. Për të qenë më pranë njerëzve dhe për t`u dhënë mundësinë atyre për të kontribuar me një vlerë të caktuar monetare. Gazetarët e këtij emisioni ishin vendosur në tri pika të ndryshme nga ku u bënë dhe shumë lidhje direkte me ta. Në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, ku janë të vendosur familjarët e prekur nga kjo tragjedi, ishte vendosur një kuti për mbledhjen e parave, por dhe shumë banorë të Gërdecit rrëfyen dramën që ka përshkruar pothuajse çdo pjesëtar të familjeve të tyre. Shiu i orëve të vona të kësaj mbrëmjeje maratonë nuk i ndaloi banorët e Tiranës, të cilët kanë dalë në mes të shiut dhe kanë dhënë kontributin e tyre në një kuti, e cila ishte vendosur te parku “Rinia” në qendër të Tiranës. Në hyrje të Vizion Plusit ishte vendosur një tjetër kuti për qytetarët, të cilët donin të shprehnin solidaritetin e tyre në ndihmë të këtyre familjeve. Për gazetarët e “Njerëz të humbur” kjo natë ka qenë një nga sfidat më të vështira, pasi qindra emigrantë shqiptarë në Zvicër, Austri, Gjermani, Itali, Greqi, Irlandë, Angli, Norvegji, Suedi, SHBA, Australi nuk kanë hezituar për t`iu përgjigjur thirrjes së kësaj nisme të ndërmarrë përsipër nga “Njerëz të humbur”. Për t`ua bërë më të thjeshtë dërgimin e parave, në ekran kanë qenë të shfaqura gjatë gjithë kohës numrat e llogarisë bankare të mundësuara nga Raiffesien Bank. Në plotësimin e kësaj telemaratone janë realizuar lidhje direkte nga Greqia me korrespondentin Jani Papa, ku ishin mbledhur shumë shqiptarë dhe nga kursimet e tyre kishin mënjanuar diçka për familjet e Gërdecit. Në Turqi kryetari i Bashkisë së Stambollit ka ofruar një shumë të konsiderueshme të hollash dhe ky lajm u bë i ditur nga korrespondenti ynë, Kadri Limani. Edhe shqiptarët e Austrisë, nëpërmjet zërit të Jakup Sadikut, kanë shprehur solidaritetin e tyre në dhënien e një sasie parash, e cila vazhdon të mbetet ende e papërcaktuar, pasi ata vazhdojnë ende të dhurojnë. Këngëtarja Greta Koçi ka vendosur që çmimin e parë të Mikrofonit të Artë, prej 5 milionë lekësh të vjetër, t`ia dhurojë familjeve nga Vora. Kreshnik Qato, në një lidhje direkte nga Franca, ka dhuruar plot 1 milion lekë të vjetër, ndërsa Irma Libohova, e cila është ftuar për të kënduar në ndeshjen e Kreshnik Qatos në datën 4 prill në pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ka pohuar se paratë e kësaj ftese do t`ia kalojë automatikisht telemaratonës humanitare. Edhe presidenti i kompanisë “Yldon”, Ylli Ndroqi, dhuroi 5 milionë lekë të vjetër. Telefonatat nuk kanë pushuar për asnjë moment, gatishmëria nga njerëzit e thjeshtë, pensionistët, fëmijët me aftësi të kufizuara, studentët janë solidarizuar dukshëm natën e së shtunës. Edhe pse ora shënonte 02:30 e mëngjesit, teleshikuesit kanë telefonuar dhe kanë dhënë ndihmën e tyre. Nga shtetet e Ohaios, Konektikat, Nju Jork, Miçigan, Virxhinia emigrantët nuk kanë reshtur së telefonuari. Një mbrëmje e mbushur me shumë shpresë, emocion dhe forcë, një mbrëmje e cila ende nuk është mbyllur, pasi solidaritetin e çdokujt i cili mendon se ka në dorë dhe mund të ndihmojë, ai mund të telefonojë ose të vijë në redaksinë e “Njerëz të humbur” në Vizion Plus, për dhënë atë që ai mendon se vlen për të qenë afër këtyre familjeve. Ka pasur nga ata emigrantë, pronarë të ndërmarrjeve të ndryshme në diasporë, të cilët kanë dhënë shuma të mëdha deri në 60 mijë paund. Natyrisht që shumica e këtyre shumave të deklaruara kanë qenë premtime, të cilat vazhdojnë të shtohen. Ajo çfarë “Njerëz të humbur”, nëpërmjet Aida Shtinos, i ka përcjellë publikut, ka qenë thirrja: “Të dashur shqiptarë, mbani premtimet tuaja! Tregohuni solidarë dhe humanë në këto ditë të vështira”. Megjithëse është deklaruar se shuma e mbledhur do të bëhet publike nga mesi i javës, me sa duket do të jetë e vështirë të jepet një përcaktim krejtësisht i saktë për atë çfarë ka dhuruar publiku i gjerë, pasi kontributet kanë vazhduar të rriten edhe mbas natës së të shtunës. Megjithëse nga një fatkeqësi, por ajo çfarë kanë treguar shqiptarët natën e së shtunës ka qenë se nuk është vetëm politika ajo që i mbledh dhe i tubon njerëzit, por edhe shpirti human dhe bujaria që na ka karakterizuar gjithmonë.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresën aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›