Berisha shtyn datën e Kuvendit të PD-së në shkelje të hapur me Statutin
Eljona Ballhysa
Demokratët kanë vendosur të shtyjnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë. Mbledhja, e cila ishte parashikuar të mbahej më 12 dhjetor, do të mbahet më 14 dhjetor. Burimet bëjnë të ditur se ky vendim është marrë nga vetë kreu i PD-së për shkak të axhendës së ngjeshur si kryeministër i vendit. Por shtyrja e datës së Kuvendit ka ardhur në shkelje të hapur me Statutin e partisë. Demokratët vazhdojnë me praktikën e tyre të vjetër duke marrë vendime në kundërshtim të hapur me Statutin e partisë sa herë që u jepet mundësia. Vargut të gjatë të shkeljeve të Statutit i shtohet dhe kjo e fundit, shtyrja e datës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar për shkak se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Partisë nuk ka mundësi të jetë në Tiranë më datë 12 dhjetor. Sipas burimeve jozyrtare mësohet se kryeministri Berisha, më datë 12 dhjetor do të pritet në një takim nga Papa Benedikti XVI në Vatikan.
Statuti
Neni 38 i Statutit të Partisë Demokratike parashikon mënyrën e thirrjes dhe përcaktimin e datës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të kësaj partie. Në bazë të Statutit, data e Kuvendit miratohet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe anëtarët e tij njoftohen për datën të paktën dy muaj para zhvillimit të mbledhjes. “Kuvendi Kombëtar zgjidhet si rregull çdo katër vjet. Ai mund të mblidhet çdo dy vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e kryetarit të Kryesisë Qendrore. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”, - shkruhet në Statut. Edhe në ato raste kur Kuvendi mund të thirret në një sesion të jashtëzakonshëm, Statuti ka parashikuar një periudhë dyjavore për njoftimin e anëtarëve. “Kuvendi Kombëtar mund të thirret edhe në sesione të jashtëzakonshme. Në këtë rast, Kryesia e PD-së vendos për modalitetet e thirrjes së kuvendit të jashtëzakonshëm. Kuvendi, në sesion të jashtëzakonshëm mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të PDSH ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë rast Kryesia e PDSH njofton brenda dy javësh rendin e ditës dhe datën e Kuvendit”, - shkruhet në Statut. Në rastin konkret, shtyrja e Kuvendit nuk është njoftuar ende zyrtarisht nga PD-ja dhe është një vendim i marrë vetëm nga kryetari i partisë.
Shkeljet
Por kjo nuk është hera e parë që demokratët shkelin Statutin e partisë së tyre. Prej disa muajsh lidershipi i Partisë Demokratike vazhdon të mbajë të njëjtat poste, ndonëse u ka përfunduar mandati. Zgjedhjet brenda PD-së duheshin zhvilluar në fund të muajit prill, por u shtynë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Në bazë të Statutit të PD-së, zgjedhjet brenda partisë zhvillohen një herë në katër vjet. Zgjedhjet e fundit janë zhvilluar në prillin e vitit 2005. Pra, drejtuesit kryesorë të PD-së prej disa muajsh janë në shkelje të Statutit të partisë. Në Statut është parashikuar që Këshilli Kombëtar të mblidhet të paktën dy herë në vit, dispozitë kjo që nuk është zbatuar gjatë katër viteve të kaluara. Gjatë katër viteve në qeverisje demokratët duket se e kanë harruar partinë duke mos respektuar kushtetutën e saj, statutin e PD-së. Këtë e pohojnë vetë deputetët demokratë, të cilët shprehin pakënaqësi për mosmbledhjen e strukturave. Ata bëjnë të ditur se ndihen të pavlerësuar në kushtet ku nuk kanë ku të shprehin mendimet e tyre për çështje të caktuara, pasi strukturat janë pothuajse inegzistente, ndërsa mbledhja e Grupit Parlamentar është kthyer në një seancë dëgjimi e fjalimit të kreut të partisë.
Shkeljet
Organet e nëndegës së PD-së zgjidhen në Kuvendin e Nëndegës me votën e të gjithë anëtarëve të PD-së sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Kryesitë mblidhen të paktën një herë në tre muaj.
Kryesia e vogël, e cila merr të gjitha vendimet në PD, është një strukturë informale, që nuk njihet nga Statuti i partisë.
Neni 27
Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia Qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Neni 38
Kuvendi Kombëtar zgjidhet si rregull çdo katër vjet. Ai mblidhet në çdo dy vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e kryetarit të Kryesisë Qendrore. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Neni 40
Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga Kryesia e partisë.
Topalli organizon aktivitet kulturor për festën kombëtare
Një rrëfim i veçantë artistik, një retrospektivë për historinë e Shqipërisë në periudhat para, gjatë dhe pas pavarësisë, u shfaq në Tiranë, në Ditën e Flamurit, 97-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. E ardhur përmes një simbolike të veçantë, në mjediset e ish-muzeut të diktatorit Hoxha, në një stil modernist, ku në sfond projektoheshin foto dhe dokumente të rrallë historike. Në show-n katërdimensional, historia e Shqipërisë vjen në ndriçimin, zërin, imazhin, dokumentet e faktet e papublikuara më parë në një këndvështrim realist. Aktiviteti ishte organizuar nga Ministria e Kulturës, Arkiva e Shtetit, Akademia e Arteve dhe në kujdesin e veçantë të kryetares së Kuvendit. Ekspozita e konceptuar me leximet e fjalimeve dhe korrespodencave të rilindësve, albanologëve, figurave politike më të shquara, sillte në një dritë të re realitetin e kohërave të vështira, para dhe pas krijimit të shtetit në 1912-n, luftërave ballkanike, vendosjen e monarkisë, Luftën e Dytë Botërore, periudhën e diktaturës komuniste, rrëzimin e saj dhe Shqipërinë demokratike, për të kulmuar në zhvillimet e fundit historike, anëtarësimi në NATO dhe integrimin e pritshëm në BE. Kryetarja e Kuvendit zgjodhi të nisë mesazhin e saj për këtë aktivitet, përmes vargjeve të himnit të poetit të madh kombëtar Gjergj Fishta. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë aktivitet artistik si rrëfimin më të veçantë që është bërë ndonjëherë gjatë këtyre viteve për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Kryetarja e Kuvendit tha se 28 Nëntori nuk është vetëm ditë feste, është ditë premtimi dhe ditë amaneti.
Harxhi, lobim për Kosovën në Lindjen e Mesme
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, përfundoi turin e saj në Lindjen e Mesme, tur që kishte si synim lobimin për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Duke trajtuar zhvillimet në Ballkan, Harxhi në takimet e saj në Egjipt vuri theksin tek efektet pozitive dhe te klima e re e paqes dhe sigurisë në rajon që kanë shoqëruar krijimin dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës. Në këtë kontekst, ajo shënoi rëndësinë që Egjipti, një vend i madh, mjaft i rëndësishëm dhe mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, të njohë Kosovën sa më parë, gjë për të cilën u sigurua se do të ndodhë në një periudhë të shpejtë. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme zhvilloi një takim të veçantë edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Amr Moussa. Z. Amr Moussa vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit europian dhe e cilësoi si të rëndësishëm rolin që vendi ynë mund të luajë në dialogun ndërmjet Bashkimit Europian e vendeve të botës arabe dhe Konferencës Islamike në përgjithësi. Po ashtu ai u shpreh se do të ndjekë dhe mbështesë brenda 22 vendeve anëtare të Ligës Arabe njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës dhe siguroi zëvendësministren se së shpejti numri i shteteve që njohin Kosovën do të rritet edhe brenda vendeve të Ligës Arabe dhe Konferencës Islamike.
30 Nentor 2009