Dosja e Remzi Hoxhës do të gjykohet nga Gurali Brahimllari
Pas vdekjes së gjyqtarit Xhelal Elezit, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda ka qenë i detyruar të rihedhë në short gjashtë dosjet që kishte në gjykim. Burime pranë kësaj gjykate se një ndër dosjet e bujshme që është ende në gjykim, është dhe dosja për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Pas më shumë se dy javë ndërprerjeje, pritet që javën që vjen ky proces të nisë normalisht me të njëjtat palë, vetëm se gjyqi do të drejtohet nga gjyqtari Gurali Brahimllari. Të pandehurit në këtë proces gjykohen në gjendje të lirë. Ata janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Në seancat e mëparshme të pandehurit janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës duke preferuar të mos jenë vetë të pranishëm. Procesi ndaj ish-drejtuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që akuzohen nga Prokuroria si përgjegjës në rrëmbimin e trefishtë në 1995-n të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, ndodhet në fazën e marrjes së dëshmisë së Loshajt dhe disa punonjësve të tjerë të SHIK-ut të asaj kohe. Gjykata ka vendosur që kjo dëshmi të merret me anë të letër-porosisë. Procesi gjyqësor ndaj Kumbaros dhe të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, ka nisur prej afro dy vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para Gjykatës kanë dëshmuar mjaft dëshmitarë, të cilët kanë sjellë fakte mjaft të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe prej atëherë nuk u mësua asgjë rreth fatit të tij. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë akuzohen dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.
12 Shkurt 2010