E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani, takim me përfaqësues të Komisionit Europian për Progreset

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti dje në një takim pune Luigi Soreca, Maria Fidelgo dhe Tomas Volhode, përfaqësues të Komisionit Europian, me të cilët u diskutua mbi realizimet dhe sfidat përpara në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Sipas njoftimit zyrtar, në prezantimin e tij, ministri i njohu pjesëmarrësit me hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të hartimit të strategjisë së reformës në Drejtësi, hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të Drejtësisë në vend, si dhe një kuadër marrëveshjesh bilaterale si ajo me Mbretërinë e Belgjikës dhe Marrëveshja e bashkëpunimit me Eurojust. Në fjalën e tij Nishani prezantoi të rejat që sjell zbatimi i ligjit “Antimafia”, si dhe ai i Bashkëpunimit Ndërgjyqësor Ndërkombëtar si në aspekt të fuqizimit të luftës kundër krimit të organizuar, ashtu dhe në drejtim të përmirësimit dhe qartësimit të roleve dhe procedurave të aktorëve të përfshirë në këtë proces. Sorecca përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë shqiptare për progresin e shpejtë të arritur në hartimin e akteve ligjore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, detyra këto të lëna nga misioni i parë i ekspertëve në mars 2009. Ai theksoi se tashmë sfida që shfaqet përpara Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave është zbatimi me efektivitet i akteve të miratuara, si dhe vënia në dispozicion e burimeve njerëzore dhe financiare për këtë qëllim. Edhe në këtë aspekt, Nishani informoi se Ministria e Drejtësisë po i kushton një vëmendje të veçantë procesit të zbatimit të ligjeve dhe vendosjes së burimeve të nevojshme për zbatimin e ligjeve të adoptuara nga Parlamenti.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›