E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohet publikisht droga e kapur për 2 vjet në Gjirokastër



GJIROKASTËR – E gjithë sasia e drogës së sekuestruar nga policia e Gjirokastrës për periudhën 2005-07 është asgjësuar gjatë ditës së shtunë, pas përfundimit të të gjitha hetimeve për autorët dhe kalimit të procedurave për shkatërrimin e saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 13.00 të ditës së djeshme, në vendin e quajtur Virua, në periferi të qytetit të Gjirokastrës, larg qendrës së banuar, është bërë asgjësimi i 1346 kilogramë drogë të llojit marijuanë dhe 18 kilogramë heroinë. Procesi është kryer në prani të drejtuesve të policisë dhe medias. Sipas zëdhënësit të Policisë së Qarkut, “asgjësimi i kësaj lënde narkotike, e cila është e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, është bërë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimeve penale të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë për 6 vepra penale, të cilat kanë marrë vendim të formës së prerë. Kjo sasi lënde narkotike është sekuestruar nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër në disa prej aksioneve të zhvilluara gjatë viteve 2005 deri në 2007, ku për këto procedime ka përfunduar hetimi dhe gjykata është shprehur me vendim të formës së prerë. Ndërsa për sasinë tjetër të kapur në aksionet e tjera asgjësimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale do të bëhet pasi gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë.

Hetim për punonjësen e gjendjes civile për certifikatën false

GRAMSH – Një punonjëse e Gjendjes Civile në qytetin e Gramshit do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të lëshimit të një certifikate false për një shtetas. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisi çështja penale në gjendje të lirë ndaj 34-vjeçares Adriana Dragoti. Sipas këtij burimi, Dragoti kishte pajisur me certifikatë 19-vjeçarin Elton Lena, i cili që nga viti 1996 banon në njësinë bashkiake Nr. 1 në kryeqytet. Lena kishte aplikuar për t'u pajisur me pasaportë në policinë e Tiranës, ku kjo e fundit, pas parregullsive të vërejtura, nisi praktikën e verifikimit në Drejtorinë e Policisë në Elbasan. Mbas hetimeve, në ngarkim të punonjëses së gjendjes civile të Gramshit u ngrit akuza “shpërdorim detyre”.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›