E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të funksionojë Përmbarimi privat



Laureta Rryçi

Tiranë - Një ndër reformat që është propozuar prej pak ditësh në qeveri nga Ministria e Drejtësisë është liberalizimi i Shërbimit Përmbarimor. Praktika e një Shërbimi Përmbarimor të Liberalizuar ka gjetur zbatim në disa shtete europiane. Bazuar në eksperiencën e këtyre vendeve, është menduar që Shërbimi Përmbarimor të jetë i sistemit të dyfishtë, duke u ushtruar nga dy sisteme paralele ekzekutimi; njëri Shërbimi Përmbarimor Shtetëror dhe tjetri nga Shërbimi Përmbarimor Privat. Kjo praktikë ndiqet sot në Rumani, e cila e aplikon këtë lloj sistemi për faktin e problematikës që shfaqin procedurat e ankandit në kolateralet e lëna si garanci për dhënien e kredive nga bankat.
Dy sistemet
Specialistët në Ministrinë e Drejtësisë e kanë shpjeguar përzgjedhjen e tyre për dy sistemit për shkak se transformimi në një shërbim privat mund të realizohet tërësisht mbas një periudhë kohore, pasi të bëhen amendimet përkatëse të akteve ligjore dhe nënligjore me të cilat do të operojë Shërbimi Përmbarimor Privat. Aplikimi i sistemit të dyfishtë do të jetë transitor, deri në krijimin e kornizës ligjore dhe të një vlerësimi përfundimtar, nëse ky transformim, për kushtet në të cilat ndodhet vendi ynë, do të jetë eficent apo jo. Gjatë kësaj periudhe kohe të gjithë aktorët, pjesë e transformimit, duke përfshirë dhe palët në proces ekzekutimi, duhet të njihen me këto ndryshime, si: riorganizimin administrativ, amendimet e akteve ligjore e nënligjore (ligji për shpenzimet, ligji për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor privat etj. Pritet që pagimi i të gjitha shpenzimeve nga shërbimi privat do të sjellë rritjen e tarifave për palët në proces ekzekutimi, të cilët ndoshta nuk mund t'i përgjigjen financiarisht rritjes së tarifave, duke bërë të pamundur zgjidhjen e të drejtave të tyre.
Avantazhet
Hartuesit e këtij projektligji janë të mendimit se kategoritë e Titujve Ekzekutivë si kontraktuale private (lirim banese etj.), të cilat për momentin mbartin mjaft problematikë për mungesë mjetesh logjistike, do të bëheshin ndoshta më efektive për faktin e sigurimit të këtyre mjeteve. Por, nga ana tjetër, duke mos e ndjerë fuqinë shtrënguese të shtetit, subjekte të ndryshme në proces ekzekutimi, do të krijonin një problem serioz në raport me përmbaruesit e vetëpunësuar. Me aplikimin e sistemit privat, Institucionet shtetërore do të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat. Ato do të duhet t’i paguajnë tarifat në raport me objektin e ekzekutimit. Ndoshta, duke mos përballuar dot nga buxheti i vet pagimin e tarifave, shteti do t'i shmanget ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë. Sipas statistikave, çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore (A.T.K, KESH, firmat piramidale, të ndryshme, gjobat penale), zënë pjesën më të madhe të çështjeve të regjistruara për ekzekutim pranë zyrave përmbarimore. Çështjet sociale, kryesisht me objekt "Takim, kujdestari fëmije dhe detyrim ushqimor", mund të shpërfillen nga ana e përmbaruesve privatë, sepse procedurat e zgjatura, negociatat me prindërit kërkojnë shumë kohë dhe sjellim pak përfitime për ta. Kush do t’i ndjekë këto çështje kaq delikate, që duan një trajtim serioz dhe të specializuar jo vetëm për prindërit e divorcuar, por dhe për fëmijët, të cilët mund të pësojnë trauma të pariparueshme për gjithë jetën?

ǒdo të ndodhë në zonat rurale

Është paramenduar që në emër të konkurrencës së lirë, mundet që përmbaruesit të mos e ofrojnë fare shërbimin në zonat rurale. Përmbaruesit, të cilët duhet të operojnë në zonat rurale, nuk do të siguronin të ardhura të mjaftueshme nga mbledhja e tarifave, kjo duke marrë në konsideratë numrin e pakët të çështjeve për ekzekutim në këto zona.

Avantazhet e liberalizimit të këtij shërbimi:

Ulja e shpenzimeve buxhetore si dhe ulja e ngarkesës së punës të Shërbimit Përmbarimor Shtetëror;

rritja e cilësisë së Shërbimit Përmbarimor përmes ofrimit të një shërbimi më të motivuar dhe të plotësuar me mjete logjistike, burime financiare dhe njerëzore;

futja ne treg e operatorëve të rinj, në kushtet e një konkurrence te lirë, të cilët do të merren me ekzekutimin e titujve ekzekutivë;

mundësi të reja punësimi për juristë;

ulje e fenomeneve korruptive në Shërbimin Përmbarimor Shtetëror.

Përmbaruesit nuk do të kenë ndarje juridiksioni
Është parashikuar që Shërbimi Përmbarimor Privat të mund t'i ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të pavarur në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kuadër nuk do të ketë ndarje të juridiksionit, sipas njësive vendore apo rretheve gjyqësore, gjë që do të thotë se një përmbarues privat në Tiranë mund të ekzekutojë një titull ekzekutiv edhe në një qytet tjetër. Përsa u takon procedurave ekzekutive, për shtetas shqiptarë apo të huaj, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përmbaruesi privat do të procedojë sipas dispozitave ligjore në fuqi, konventave të ratifikuara dhe marrëveshjeve dypalëshe.

Përmbaruesi privat nuk mund të jetë:

Në funksione publike;
në pozicione drejtuese ose mbikëqyrëse;
në shoqëritë e tjera tregtare;
organizatat jofitimprurëse;
entet shtetërore;
noter;
avokat;
apo në ndonjë profesion tjetër që bie ndesh me ushtrimin, në mënyrë të paanshme të profesionit të tij administrator falimentimi ose likuidator i shoqërive tregtare, që janë në proces falimentimi ose likuidimi.

Rastet kur mund të vihet gjobë
Një ndër të drejtat që ka përmbaruesi privat gjatë ushtrimit të funksionit të tij është që të vendosë gjobë ndaj subjekteve fizike apo juridike, që pengojnë në mënyrë të paligjshme procedurën e ekzekutimit, në zbatim të K. Pr. Civile. Është kjo arsyeja që përmbaruesi privat, megjithëse është një subjekt privat, ushtron një funksion publik. Në qoftë se përmbaruesi privat nuk do ta gëzonte këtë atribut, do të ekzistonte mundësia si dhe rreziku i komprometimit të procedurës së ekzekutimit.
Vetëm pajisja me këtë atribut do të mundësonte zbatimin e detyruar të titullit ekzekutiv nga subjektet.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›