E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashensori

05/01/2005  Ashensori i një godine në ndërtim merr 2 jetë njerëzish dhe plagos 2 të tjerë në qendër të kryeqytetit. Rreth orës 17.30 të së djeshmes, transportieri i kompleksit të biznesit në ndërtim "Europian Trade Center", u shkëput nga kavoja që e mbante. Nga kati i 11-të i ndërtesës kanë fluturuar drejt tokës katër të pafat. Tragjikisht vdes në vend punëtori Sejdin Hajdari, plagosen rëndë 3 të tjerë, njëri prej të cilëve, Afrim Zeka, që më pas jep shpirt në Spitalin Ushtarak. Godina ku ndodhi aksidenti po ndërtohet nga një firmë, që mban si pronar kreun e shoqatës së ndërtuesve, Artan Dulakun.

Ngjarja

Teksa hipën në ashensorin që u mori jetën, 4 punëtorëve të ndërtimit, as që u shkonte ndërmend se pak sekonda më pas do të bëheshin protagonistë të një tragjedie. Ora shënonte 17.30, kohë në të cilën ata linin përditë punën për të marrë rrugën drejt shtëpive të tyre. Ndërsa përgjegjësi i grupit, Sejdin Vjore, Arjan Kasa dhe një person ende i paidentifikuar, ishin nga qyteti bregdetar i Durrësit, Afrim Zeka vinte nga Kavaja. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, deri atë ditë, transportieri nuk kishte pasur asnjë problem. Ndonëse kishte mbartur ngarkesa të mëdha me inerte apo mallra të tjerë të fushës së ndërtimit, ashensori nuk kishte dhënë as shenjën më të vogël se një ditë do të shkëputej nga lartësia e do të binte. Për t'u rikthyer sërish në argumentin e djeshëm, burime policore nga vendi i ngjarjes pohojnë se viktimat dhe të plagosurit nuk kishin në duar asnjë peshë. Kësisoj përjashtohet mundësia e rënies së tij për motive mbingarkese. "Gjithçka u zhvillua në pak sekonda. Askush nuk po e kuptonte atë që po ngjiste. Pamë ashensorin e anës së përparme të objektit që mori tatëpjetën. Veç rënies me shpejtësi, pati dhe shkëndija të shumta, që u përngjanin dritave që fikeshin e ndizeshin", ka rrëfyer për mjekët në Spitalin Ushtarak, njëri nga punëtorët që shoqëroi të lëndurit nga "Europen Trade Center". Kur transportieri ciku tokën, aty u mboldhën të gjithë kolegët e udhëtarëve fatkeqë. Njëri prej tyre ishte shuar dhe nuk ishte e udhës ta dërgonin në spital. Teksa ai u përcoll për në Institutin e Mjekësisë Ligjore, 3 të tjerët i dërguan menjëherë në qendrën Spitalore Ushtarake për të marrë ndihmën mjekësore. Pak sekonda më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën efektivat e Komisariatit të policisë nr.1.

Hetimet

Ashensori ra nga kati i 11-të si pasojë e këputjes së kavos së çelikut, apo nga defekti në sistemin elektrik? Kjo dilemë i ka përfshirë thuajse të gjithë, duke mos përjashtuar nga ky kategorizim as grupin hetimor. Dy inspektorë të antikrimit të Komisariatit nr.1 mbërritën në Spitalin Ushtarak rreth orës 18.30. Megjithë përpjekjet e tyre për të mësuar diçka më tepër rreth aksidentit tragjik dhe rrethanave të tij, duket se blutë u ndanë të paplotësuar me informacion. Burime policore shprehen se, ka nisur puna për zbardhjen e aksidentit, por më parë është kërkuar të gjendet një ekspert i mirëfilltë i ndërtimit. Shkaku i rënies së ashensorit do të zhgjidhte enigmën. Anipse nuk preferon të prononcohet me identitetin e tij një nga punëtorët në qendrën e biznesit, shprehet se të shumta janë gjasat që transportieri të ketë qenë me defekt. Ndryshe nuk ka si shpjegohet rënia e tij nga lartësia. Për më tepër, kolegët e viktimave shtojnë se gjatë shkëputjes nga lart, ashensori është mbuluar nga shkëndija të zjarrta. Kësisoj është evidente mundësia që aksidenti të ketë lidhje me ndonjë anomali të mundshme në sistemin elektrik. Për sa kohë që specialistët nuk kanë përcaktuar shkakun e vërtetë, nuk mund të konsiderohej asnjë përfundim zyrtar. Sakaq, në spital nuk munguan as pronari i firmës ndërtuese, inxhinierët dhe specialistët e tjerë të ndërtimit. Por askush nuk pranoi të prononcohej për mediat lidhur me aksidentin tragjik në ashensor. E vetmja frazë e tyre ishte: "po presim të vijnë familjarët e viktimave dhe të plagosurve", u shprehën ata. Konkluzionet e specialistëve të ndërtimit që do merren me analizën e aksidentit, do të dalin zyrtarisht pak ditë më pas.

Të vdekur

Afrim Zeka, 37 vjeç, nga Durrësi

Sejdin Hajdari, 34 vjeç, nga Kavaja

Të plagosur

Arjan Kasa, nga Durrësi

I paidentifikuar rreth të 30-ave

Asnjë familjar te Spitali Ushtarak

Ata vinin që të katërt nga Durrësi dhe Kavaja. Njëri prej tyre nuk është identifikuar ende, ndërsa 2 punëtorë kanë humbur jetën. E megjithatë, asnjë familjar nuk gjendet në Spitalin Ushtarak për të qëndruar pranë tyre. Deri në orët e vona të natës, të afërmit nuk kishin dijeni për atë që kish ngjarë në godinën në ndërtim, pranë Piramidës. Edicionet e lajmeve në mediat elektronike u dhanë kobin familjeve të viktimave.

Mjekët: Janë në rrezik për jetën

Duke përjashtuar njërin nga viktimat që zbriti në tokë i vdekur, 3 të tjerët u dërguan në Spitalin Ushtarak pa humbur kohë. Burime nga Spitali Ushtarak, bëjnë të ditur se që në çastet e para të ekzaminimit mjekësor, bluzat e bardha konstatuan se njëri nga të plagosurit kishte humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Sipas punëtorëve të tjerë që i shoqëruan në spital, mësohet se viktima nuk kishte puls që në vendngjarje. Mjekëve nuk u mbetej tjetër veçse të kujdeseshin për Arjan Kasën, që paraqitej në gjendje më të mirë shëndetësore se kolegu i tij, i cili nuk është identifikuar ende. "Kasa ka dëmtime seriore të kockave. Ai është dëmtuar rëndë në të gjithë gjymtyrët. Problemet më të shumta te ky pacient paraqiten në zonën e legenit, por dhe në këmbë. E vetmja përparësi e tij është fakti se nuk ka dëmtime në organet e brendshme. Ky avantazh i jep mundësi të plagosurit që të kete më shumë shanse për jetë, se për vdekje. Kemi shpresa se ai do të arrijë të mbijetojë", saktësojnë mjekët. Por nuk pohojnë të njëjtën gjë për kolegun tjetër të Arjan Kasës. I paidentifikuari është tejet i dëmtuar. Pas ekzaminimeve paraprake, bluzat e bardha vendosën që ai t'i nënshtrohej menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale. Operacioni zgjati për orë të tëra, pasi i lënduari nuk kishte pothuajse asnjë gjymtyrë e kockë të pathyer. Ndonëse u bë e pamundura që goditjet të rekuperoheshin për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, shanset e tij për të jetuar janë fare të pakta, në mos të papërfillshme. Gjithsesi, mjekët shprehen se dita e sotme do të jetë vendimtare për punëtorin e paidentifikuar të "European Trade Center". F.Bramo

Aksidentet në punë, ndëshkimi dhe denoncimet në Prokurori

Në Tiranë dhe në rrethe, rritja e numrit të ndërtimeve vitet e fundit ka sjellë edhe një numër të madh aksidentesh. Një pjesë e mirë e tyre kanë si viktima punëtorët, të cilët ndërtojnë pa respektuar si duhet, por dhe të painstruktuar në masën e nevojshme, duke qenë herë-herë jashtë kushteve teknike të mbrojtjes. Specialistët dhe ekspertët e hetimit kanë vlerësuar se ky është shkaku i rritjes së numrit të fatkeqësive me pasojë vdekjen, gjatë punës. Në të gjitha rastet kur ka patur viktima, familjarët kanë bërë denoncime në polici dhe në Prokurori. Çështjet janë filluar me zhurmë, por përgjegjësia asnjëherë nuk ka mbërritur në fajtorin real. Nuk janë të pakta rastet, pohojnë hetuesit, kur familjarët tërhiqen nga denoncimet, duke mbrojtur punëdhënësit e të afërmit të tyre të vdekur. Në kushte të tilla, prokurorët në mënyrë të përsëritur kanë shkuar drejt mbylljeve të çështjeve.

Precedentët

21 qershor 2004

Beqir Shehu, 50 vjeç nga Tirana, mbeti i vdekur, pasi ra nga kati i pestë i një pallati në ndërtim në rrugën "Komuna e Parisit" në Tiranë

23 qershor 2003

Vdes nga një aksident, pasi bie nga ballkoni, Florenc Balla, 22 vjeç, banues në Laprakë

18 qershor 2003

Arben Vogli, 42 vjeç, vdes pasi bie nga kati i tetë i pallatit në rrugën "Sami Frashëri"

14 qershor 2003

Kujtim Loka, 23 vjeç, vdes pasi ashensori që shërbente për ngritje materialesh pësoi defekt dhe i ra në kokë atij

4 qershor 2003

Fatos Meta, 35 vjeç, aksidentohet rëndë, pasi bie nga kati i tretë i një pallati në lagjen "Ali Demi", ku punonte

10 prill 2003

Në rrugën "Don Bosko", një punëtor rreth të 50-ave bie nga kati i tretë i një vile në ndërtim, më pas vdes në spital

13 shtator 2002

Petrit Persinaku, 62 vjeç, humbi jetën i goditur nga një vinç i një pallati që sapo kishte përfunduar. Viktima punonte si teknik ndërtimi aty

14 korrik 2004

Në Tiranë, një punëtor 23-vjeçar, Kujtim Loka, gjeti vdekjen në një pallat që ishte në ndërtim e sipër, kur ra nga ashensori i objektit shumëkatësh.

15 korrik 2004

Tomorr Rrapushi, 45 vjeç, baba i dy fëmijëve, ishte në katin e katërt të pallatit në ndërtim, ku po punonte si teknik ndërtimi prej disa javësh. Në një çast tragjik, ai duke bartur materiale të ndryshme ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në lartësinë prej rreth dhjetë metrash, duke gjetur vdekje të menjëhershme.

30 dhjetor 2004

Frosina Cani, 69-vjeçare gjeti vdekjen tragjike në qytetin e Durrësit, pasi ra nga një lartësi prej dhjetë metrash, ndërsa hipte në ashensor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›