E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Nuk shpallim kryeministrin para zgjedhjeve

05/01/2005  Partia Demokratike deklaron se nuk do të shpallë asnjë kabinet qeveritar apo emër kryeministri përpara përfundimit të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2005. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, është shprehur në një prononcim për mediat se nuk është në traditën e politikës shqiptare që opozita të shpallë kabinete qeveritare apo emra kryeministrash përpara zhvillimit të zgjedhjeve. "Në traditën shqiptare, jo vetëm të PD-së, por as të partive të tjera, nuk ekziston një kulturë apo traditë që emri i kryeministrit të përcaktohet muaj më parë. Kjo është një traditë që aplikohet në Angli, ku jo vetëm emri i kryeministrit, por i gjithë kabineti dihet. Por, te ne dhe në disa vende të Evropës nuk aplikohet një gjë e tillë", tha Topalli. Sipas nënkryetares së PD-së, pak rëndësi ka shpallja e emrit të ndonjë kabineti qeveritar përpara zgjedhjeve, por ajo çka është e rëndësishme, sipas saj, është që shqiptarëve t'u jepet mundësi jo për të ndryshuar një qeveri vetëm për hir të rotacionit politik. "Dita e zgjedhjeve duhet të shfrytëzohet për t'i dhënë vetes një mundësi tjetër për të zgjedhur një forcë tjetër, që nuk mendon vetëm për karrige, për interesa të ngushta private, familjare, klanore apo farefisnore, por ta mendojë qeverisjen si një përgjegjësi që jepet në shërbim të shtetasve dhe të qytetarve të vendit. Natyrisht, ndër prioritetet tona kryesore do të jetë shëndetësia dhe arsimi. Nëse deri tani këto janë parë si prioritete thjesht dhe vetëm në rrugën verbale, pa u konkretizuar asnjëherë, për ne do të jetë prioritet i vërtetë", tha Topalli. Për demokratët, Shqipëria dhe Ukraina nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Duke bërë një krahasim mes sistemit qeverisës së atjeshëm dhe mënyrës se si qeveris Kryeministri aktual, Topalli tha më tej se, vërtet Nano është një Kryeministër i zgjedhur nga e majta, por s'ka asgjë të përbashkët me politikat sociale. "Ne jemi një vend i krahasueshëm me Ukrainën. Po të shohësh raportet e saj do të vësh re se një pjesë është shumë e pasur me mundësi të panumërta, pasuri të jashtëzakonshme dhe pjesa tjetër, shumica, ka një pjesë shumë të vogël të pasurisë së përgjithshme. 20 për qind e kësaj pasurie është e popullit, ndërsa 80 për qind e një grushti njerëzish. Kryeministri ka bërë zgjedhjen e vet dhe mendon se sa të jetë në karrige ta shfrytëzojë", tha Topalli. Sipas nënkryetares së PD-së, Kryeministri aktual mund të konsiderohet si Kryeministri i vakancave, por kurrësesi si Kryeministri i Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›