E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shehi: Fondi i qeverisë për ish-të përndjekurit qesharak

05/01/2005  Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, Dashamir Shehi, tha dje se shuma e vënë në dispozicion të ish-të përndjekurve politikë është e pamjaftueshme për kompensimin ndaj tyre. Sipas tij, shumë prej ish-të përndjekurve ka mundësi të mos e shijojnë dëmshpërblimin për punën, vitet e burgut dhe punën në kampet e përqëndrimit. "Shifra qesharake prej 260 milionë lekësh, e vendosur nga qeverija, nuk mund të kompensojë atë shtresë që për vite të tëra vuajti në burgjet e diktaturës", tha Shehi. Debatet në parlament mes forcave politike për çështjen e dëmshpërblimit gjatë vitit që shkoi u shoqëruan me protesta masive në rrugë nga ish-të përndjekurit politikë. Opozita paraqiti, në atë kohë, një skemë kompensimi, e cila merrte përsipër dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve për një periudhë kohore 10-vjeçare. Nga ana e saj, qeveria e kundërshtoi skemën e opozitës, duke nxjerrë si pretekst faturën e lartë financiare dhe paraqiti një tjetër skemë, në formë pensioni, e cila parashikonte një pagesë nga 1000, deri në 5000 lekë në muaj, sipas viteve të burgut. Me shumicën e majtë në Kuvend u miratua varianti i paraqitur nga qeveria, variant i cili u kundërshtua me forcë nga shoqatat e ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve të regjimit. Kundërshtarët e ligjit qeveritar e konisderuan këtë variant si një tallje që i bëhet kësaj shtrese, duke deklaruar se kjo është një tjetër goditje që i bëhet shtresës së njerëzve, që vuajtën në burgjet dhe kampet e diktaturës. Debatet për këtë çështje nuk janë mbyllur ende, ndërkohë që opozita ka deklaruar se me ardhjen në pushtet do të zbatojë variantin e vet të kompensimit për ish-të dënuarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›