Braho: PS i ka shitur zgjedhjet e përgjithshme
05/01/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron votat e deputetëve të saj kundër miratimit të amendamenteve në Kodin Zgjedhor në seancën e ditës së hënë. Marrëveshjen mes Partisë Socilaiste dhe Partisë Demokratike, për ndarjen e re të zonave zgjedhore, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, e ka cilësuar si "një marrëveshje banditësh politikë, ku dy bandat, PS dhe PD, bëjnë marrëveshje në interes të tyre dhe jo në interes të zgjedhësve shqiptarë". Në qendër të sulmeve të Brahos ka qenë dhe grupi i ekspertëve pranë OSBE-së. Sipas tij, "ka një bekim të nëpunësve të rëndomtë të OSBE-së në këtë marrëveshje". Kundërshtimi i reformës zgjedhore bëhet për shkak të mospërfshirjes në komisionet e numërimit të votave të të gjithë forcave politike sipas përqindjes që zënë në Kuvend. Ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve e sheh me mosbesim se kjo marrëveshje mes dy forcave kryesore të politikës të zgjidhë problemet e shumta që shqetësojnë aktualisht gjithë sistemin zgjedhor në Shqipëri. Për sa i përket draftit për ndarjen e re të zonave elektorale, Braho thekson se duhet "të shohim se çfarë do të gatuajnë. PD dhe PS vetë e bënë, vetë u grindën. PS-ja bëri një tërheqje të turpshme nga qëndrimi i saj dhe elektorati socialist duhet ta marrë vesh se PS i ka shitur zgjedhjet e përgjithshme", tha Braho