E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashpërsohet përplasja mes Policisë dhe Dobjanit

Përplasja mes Avokatit
të Popullit dhe policisë
ka marrë nota më të
ashpra gjatë ditës së djeshme,
kur janë shtuar akuzat
ndaj Dobjanit. Por, ambasadori
i OSBE-së në Tiranë nuk ka qenë
në një mendje me këto akuza,
dhe ka dalë në mbrojtje të tij pak
ditë pas padisë për ndërhyrje
gjatë hetimeve në Drejtorinë e
Policisë në Shkodër. Policia e ka
ashpërsuar qëndrimin e saj ditën
e djeshme, duke motivuar se
Dobjani "ka nxjerrë sekrete" gjatë
prononcimeve të tij në media.
Reagimi i policisë
"Duke marrë shkas nga komentet
e bëra në media, në
lidhje me deklarimet publike
nga Avokati i Popullit, lidhur me
incidentin e ndodhur gjatë një
inspektimi të këtij të fundit në
Drejtorinë e Policisë së Qarkut
Shkodër, Policia e Shtetit ka
vlerësuar dhe analizuar seriozisht
rastin rreth të cilit sqarojmë se
Policia e Shtetit është e vendosur
që në kryerjen e misionit të saj të
jetë e udhëhequr nga Kushtetuta
dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë,
duke ndërvepruar në bazë
të ligjit me çdo institucion tjetër,
që e ndihmon në kryerjen e detyrimeve
ligjore", ka qenë reagimi
i Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë së Shtetit. Në këtë kontekst,
në deklaratën e saj policia
thotë se bashkëpunimi me institucionin
e Avokatit të Popullit
ka qenë, është dhe do të jetë i
rëndësishëm, duke respektuar
detyrimet ligjore që rregullojnë
veprimtaritë e institucioneve
respektive. "Në gjykimin tonë,
rasti i Shkodrës është deformuar
dhe më tej politizuar, duke u trajtuar
si sulm ndaj institucionit të
Avokatit të Popullit. Qëndrimet
dhe konsideratat e bëra publike
nuk janë rezultat i vlerësimit të
paanshëm e objektiv në raport
me ligjin, i rrethanave në të cilat
ka ndodhur incidenti", pozicionohet
policia.
Akuzat e tjera
Sipas deklaratës për shtyp, pas
inspektimit, në një komunikim
me mediat, Avokati i Popullit ka
dhënë publikisht të dhëna mbi
karakteristikat e dëshmitarëve,
çka bie në kundërshtim të plotë
me nenin 279 të Kodit të Procedurës
Penale: "Detyrimi për ruajtjen
e sekretit hetimor". Pas kësaj,
mediat kanë publikuar edhe
inicialet e dëshmitarëve. "Theksojmë
se gjithçka ka ndodhur pasi
Avokati i Popullit ishte informuar
mbi statusin dhe çështjen konkrete
për të cilën ata ishin thirrur",
shpjegoi policia. Referuar nenit
297 të Kodit të Procedurës Penale
"Ruajtja e sekretit hetimor", përveç
oficerëve të policisë gjyqësore
të ngarkuar, askush tjetër, përfshi
edhe drejtuesit e tyre, nuk ka të
drejtë të ndërhyjë në hetim, apo
ta ndërpresë atë, pa autorizimin
e prokurorit. Nga ana tjetër, prej
këtyre oficerëve është ngritur
pretendimi se përfshirja dhe
ndërprerja e procesit të marrjes
së dëshmive nga ana e Avokatit
të Popullit, pa autorizimin ose
prezencën e prokurorit kompetent
është e paligjshme. Kjo bie
ndesh me Kodin e Procedurës Penale
për "Detyrimin për ruajtjen
e sekretit hetimor" dhe ligjin "Për
Avokatin e Popullit". "Në këtë ligj
thuhet se Avokati i Popullit mund
të mos fillojë ose ndërpresë hetimin
në qoftë se e njëjta çështje
është vendosur ose është në
shqyrtim nga prokuroria apo gjykata.
Në këto raste, ai ka të drejtë
të kërkojë informacion pranë
këtyre organeve, të cilat duhet t‘u
përgjigjen kërkesave të tij sa më
shpejt të jetë e mundur, por jo më
vonë se 30 ditë", deklaroi policia.
Kështu, shpjegohet se e ndodhur
në kushtet e pamundësisë për të
përmbushur veprimet e deleguara
nga prokuroria kompetente, si
autoriteti i vetëm kushtetues për
ushtrimin e ndjekjes penale, për
shkak të situatës së prezantuar
më lart, Drejtoria e Policisë së
Shkodrës, ia referoi këtë fakt prokurorisë,
për të vlerësuar lidhur
me ligjshmërinë e veprimeve të
Avokatit të Popullit.
Motivimi i kallëzimit
Policia ka shpjeguar më tej se
duke vlerësuar që ishte dëmtuar
mbarëvajtja e hetimit (i cili si
proces është sekret dhe në vetvete
është një marrëdhënie besimi që
krijohet mes atij që heton dhe
personave që pyeten, të cilët
vetëm pasi vlerësojnë seriozitetin
e tyre për zbardhjen e ngjarjes dhe
aftësinë për të ruajtur konfidencialitetin
e dëshmisë së tyre), kanë
gjykuar se kushdo që cenon këto
raporte, vepron në kundërshtim
me ligjin. "Në këtë kuptim duhet
të informohet prokurori, i cili pasi
analizon rastin në raport me ligjin,
vendos nëse veprimet janë apo jo
të kundërligjshme dhe nëse kjo
kundërligjshmëri është apo jo vepër
penale", tha policia. Drejtoria e
Përgjithshme e Policisë së Shtetit
ka verifikuar rastin konkret dhe
menjëherë pas incidentit është
kërkuar ndërhyrja e Shërbimit të
Kontrollit të Brendshëm për të hetuar
mbi ligjshmërinë e veprimeve
të oficerëve të policisë gjyqësore
dhe pretendimit të Avokatit të Popullit
për ushtrim të dhunës ndaj
një personi. Bazuar në konkluzionin
e menjëhershëm të ekspertit
mjeko-ligjor rezultoi se ky shtetas
nuk ka shenja dhune në asnjë
pjesë të trupit. Gjithashtu, konstatohet
se Avokatit të Popullit i
janë krijuar të gjitha lehtësirat e
nevojshme për të verifikuar dhe
inspektuar lidhur me metodikat
e hetimit. Pra, në këtë këndvështrim
veprimtaria e policisë
gjyqësore ka qenë në përputhje
të plotë me Kushtetutën, ligjin
procedural penal etj. Me gjithë
rastin në fjalë, Policia e Shtetit
tha se vlerëson së tepërmi rolin e
Avokatit të Popullit, pasi konstatimet
dhe rekomandimet e tij do
të shërbejnë për përmirësimin e
vazhdueshëm të punës e performancës
së uniformave blu.

OSBE: Padia ndaj Avokatit të Popullit ishte gabim i rëndë

"Avokati i Popullit është një
institucion i pazëvendësueshëm
dhe ne e
mbështesim fort, sikundër dënojmë
fort çdo akt dhune. Padia
kundër Avokatit të Popullit është
një gabim i rëndë. E vlerësojmë
punën e policisë, por herë pas
here bëhen gabime dhe ajo duhet
kontrolluar". Kështu ka deklaruar
kreu i Prezencës së OSBE-së në
Shqipëri, duke dënuar reagimin
e policisë shqiptare mbi përplasjen
mes dy institucioneve
në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.
"Shqipëria tashmë i ka këto
mekanizma, siç është Avokati i
Popullit, të cilit i uroj të vazhdojë
punën e mirë jo vetëm në emër
të OSBE-së, por edhe të Këshillit
të Evropës", tha para gazetarëve,
pas takimit, ambasadori Robert
Bosch. Avokati i Popullit, Ermir
Dobjani, nga ana e tij shprehu
gatishmërinë për vazhdimin e
bashkëpunimit të frytshëm me
strukturat e Policisë së Shtetit,
duke kërkuar njëkohësisht edhe
shprehjen e qëndrimit të qartë
prej tyre lidhur me kallëzimin
penal që Policia e Shkodrës ka
depozituar në prokurori kundër
Avokatit të Popullit. "Kjo padi
është pa asnjë shans, por unë
kërkoj dënimin e këtij veprimi,
i cili në rast se do të kthehej në
precedent, do të dekurajonte
mjaft ekspertët e Avokatit të Popullit
në ushtrim të detyrave të
tyre funksionale për të inspektuar
dhe kontrolluar komisariatet e
policisë, dhomat e shoqërimit
dhe të ndalimit, si dhe burgjet ku
të drejtat e njeriut eventualisht
shkelen rëndom", tha Avokati i
Popullit gjatë takimit me ambasadorin
Bosch. Avokati i Popullit
kërkoi me këtë rast që ky incident
të mos instrumentalizohet politikisht
nga cilado forcë politike, si
dhe vlerësoi qëndrimin publik të
organizatës "Amnesty International"
dhe të medias shqiptare për
sensibilizimin që ka krijuar lidhur
me ndëshkimin e rasteve të
dhunës në përgjithësi, por edhe
për rastin e fundit në veçanti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›