Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Penal
Kuvendi ka miratuar dje, me 101 vota, ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal. Duke vijuar konsensusin e dhënë në komisionin e ligjeve, mazhoranca dhe opozita kanë miratuar pa asnjë debat tre ligje të rëndësishme, të cilat vijnë si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Të tre projektligjet kanë marrë nga 94 deri në 101 vota në Kuvend, ndërsa janë abstenuar nga deputetët e LSI-së dhe të PSD-së. Ndryshimet në Kodin Penal duhet të ishin miratuar që në seancën e ditës së hënë, por opozita kërkoi disa ditë kohë për të unifikuar qëndrimin e saj dhe në seancën e djeshme i ka miratuar ato, pa bërë asnjë deklaratë në sallën e Kuvendit. Me këto ndryshime, Kodi Penal ashpërsohet më shumë për sa u përket ndërtimeve pa leje, të cilat tani dënohen me burg dhe me gjobë, vjedhjen dhe abuzimet në energjinë elektrike, të cilat gjithashtu dënohet me burg dhe me gjobë, vënia e zjarreve me dashje në pyje, prerja e tyre, shitja e ndeshjeve të futbollit, si dhe sulmi ndaj kompjuterëve, sidomos të institucioneve shtetërore. Pas miratimit në Kuvend, këto projektligje kalojnë për dekretim te Presidenti i Republikës dhe pas miratimit në fletoren zyrtare brenda dy javëve hyjnë në fuqi.