E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja merr në shqyrtim çështjen "Poda"

Gjykata Kushtetuese ka marrë dje në shqyrtim kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të cilët pretendojnë se Zamir Podës i është hequr nga Kuvendi i drejta për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Sipas deputetëve, drejtuesit e mazhorancës kanë detyruar sekretarin e komisionit të votimit në Kuvend të dalë dhe të deklarojë se nuk është e vërtetë ajo çfarë ai tha në sallën e parlamentit, ku deklaroi se Poda ishte fitues. Në mbledhjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, debati është zhvilluar rreth kompetencave që merr mazhoranca, për të përcaktuar nëse numri i votave ka qenë i mjaftueshëm për miratimin e Zamir Podës, anëtar të Gjykatës së Lartë, apo jo. Sipas përfaqësuesit juridik të Kuvendit, Lulzim Lelçaj, i gjithë problemi i këtij votimi ka ardhur nga një lodhje njerëzore, atë ditë në sallën e Kuvendit, dhe nuk ka asnjë gabim kushtetues ndaj Zamir Podës. Juristi Lelçaj ka këmbëngulur se Gjykata Kushtetuese nuk ka në kompetencë të gjykojë veprimtarinë e Kuvendit dhe as të shprehet për rregulloren e Kuvendit. Pasi ka dëgjuar të dy palët, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim për të mbyllur njëherë e mirë odisenë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Vendim, i cili duhet të vijë pas disa javësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›