Meta: Do të mbrojmë votën e të gjithë shqiptarëve
Jemi këtu për t‘u shndërruar në një barrikadë të pakapërcyeshme, me qëllim të ndalim marshimin e korrupsionit dhe autoritarizmit. Me këtë angazhim, iu drejtua dje publikisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim protestuesve në sheshin "Skënderbej". Ashtu siç ishte paralajmëruar, aktivistë dhe drejtues të LSI, PS91, PDK e PAD nuk hezituan të ngrenë zërin në mbrojtje të votës së lirë dhe të ndershme. Ish-kryeministri Ilir Meta konstatoi se zgjedhjeve të ardhshme u kanoset një rrezik i madh, për shkak se në pushtet është Sali Berisha. Për të zgjeruar këtë, Meta risolli në vëmendje zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 dhe manipulimin e tyre. "Jemi këtu për të mbrojtur votën e lirë, votën e gjithë shqiptarëve. Jemi si një forcë e jashtëzakonshme dhe garantuese për të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë popullit shqiptar", theksoi Meta. Kreu i LSI-së sqaroi protestuesit se grupi i 10 deputetëve hyri në grevë urie, si një vendim i padëshirueshëm, por të domosdoshëm. Kjo, tha ai, për të sensibilizuar të gjithë shqiptarët për rrezikun që mund të vijë, por edhe partnerët ndërkombëtarë. LSI vlerëson se iniciativa e grevës ishte një akt i paprecedentë që dogji planet e Ramës dhe Berishës për të bërë të mundur zgjedhje në thelb me interesa vetjake e korruptive. Meta u tregua i ashpër në deklarime ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe atij të Partisë Socialiste, Edi Rama. Faktori ndërkombëtar ishte një tjetër objekt i fjalimit publik të kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai insistoi se tanimë ata e kanë të qartë rrezikun që i kanoset demokracisë në Shqipëri. "Kodin e kaluan, por e gjithë bota e pa si u bë ky proces, si në asnjë vend tjetër që aspiron të hyjë Bashkimin Evropian", theksoi kreu i LSI-së. "U tregua se sa të korruptuar dhe peng të njëri-tjetrit janë Rama e Berisha", u shpreh Meta. Të gjithë shqiptarët janë këtu, shtoi ai, për të qenë garant të votës sonë, të së ardhmes së fëmijëve tanë. "Të gjithë ne e kuptojnë se politika e re e Ramës është politika e opozitës që bën marrëveshje nën rrogoz", nguli këmbë Meta. Në një pjesë të konsiderueshme të protestës, u dëgjuan fjalimet e përfaqësuesve të partive të tjera pjesëmarrëse. Mes tyre ishte kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, sipas të cilit "përtej të majtës e të djathtës është Partia Komuniste dhe Partia Fashiste". Fjalën e mori në takim edhe drejtuesi i PS91, Petro Koçi, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe drejtuesi i Partisë Aleanca Demokratike, Arben Demeti.
Siguria
Selia rozë e rrethuar nga kangjella hekuri
Ndryshe nga mitingjet e tjera, dje u vunë re masa të forta sigurie rreth godinës qendrore të Partisë Socialiste. Në këtë segment ishte bllokuar tërësisht qarkullimi i makinave. Jo vetëm kaq, por rrugët hyrëse ishin bllokuar me pengesa hekuri. Përkatësisht një ishte vendosur në daljen nga Tregu i Çamëve, një tjetër ngjitur me Bankën e Shqipërisë dhe dy të tjerë në drejtim të Ministrisë së Energjetikës. Rreth zonës ku po zhvillohej protesta kishte një përqendrim të konsiderueshëm të uniformave blu dhe atyre të policisë bashkiake. Dyndje e policisë u vu re si zakonisht para godinës së Kryeministrisë, ku ishte ngritur një gardh me policë në gjendje gatishmërie për ndonjë rast agresioni. Protesta arriti të zhvillohej pa krijuar probleme dhe njerëzit u shpërndanë, pasi kaluan godinën e Këshillit të Ministrave.